Turi çiklistik i Shqipërisë 2026 ka përfunduar sot me etapën e 5-të dhe të fundit. Sipas itinerarit të përpiluar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, etapa e 5- të nisi në Vlorë dhe përfundoi në Fier ku është kurorëzuar dhe fituesi i këtij edicioni të 83-të.
Policia rrugore e Fierit njoftoi bllokime të përkohshme në disa akse rrugore nga ora 10:00 deri në 13:15 duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.
Me një itinerar prej 121, 3 kilometrash etapa ishte mjaft emocionuese dhe me shpirt luftarak gare nga çiklistët e 18 ekipeve pjesëmarrëse. Pas rreth tre orësh garë, i pari në finish mbërriti 22-vjeçari Gabriele De Fabritiis, përfaqësues i ekipit kombëtar shqiptar, i cili la pas grekun Georgios Bouglas ndërsa në vendiin e tretë u rendit rumuni Alin Toader.
Pas garës italo-shqiptari Gabriele De Fabritiis u shpreh se gara ishte emocionuese dhe se luftoi përgjatë gjithë kohës.
"Ndihem shumë mirë, ishte një xhiro shumë e vështirë. Gjithë gara shkoi mirë edhe pse nuk kam qenë në kushtet më të mira fizike, besova te ekipi dhe vetja. Nuk ishte një rivalitet i keq, po sportiv", tha italo-shqiptari Gabriele De Fabritiis.
Ndërkohe fiituesi i gjithë edicionit u shpall hollandezi Niels Reemeijer i cili u shpreh mjaft i gëzuar, teksa Shqipërinë e ka cilësuar një vend të bukur.
"Sot shkoi mirë, sepse nuk ishte një etapë shumë e fortë. Më duhej vetëm të mbroja fanellën e kampionit për suksesin. Më pëlqen Shqipëria, moti është i mirë. Kjo është hera ime e tretë që e bëj këtë garë. Më pëlqen shumë këtu dhe shpresoj të kthehem sërish", tha kampioni holandez Niels Reemeijer.
Ky aktivitet solli në Shqipëri frymën e çiklizmit ndërkombëtar duke promovuar sportin, garën dhe bukuritë e vendit përgjatë pesë ditëve intensive të kompeticionit.
Komente




