Rreth 700 fluturime janë anuluar në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 3% e atyre të planifikuara, në ditën e parë të reduktimit të lëvizjeve ajrore për shkak të shutdown-it që i detyron kontrollorët e trafikut ajror të punojnë pa pagesë prej mbi një muaji, ndërsa shumë të tjerë në qendrat e radarëve janë detyruar të marrin leje mjekësore. Por kjo është vetëm fillesa: numri i fluturimeve të anuluara pritet të rritet gradualisht në 10% gjatë fundjavës së ardhshme, më shumë se dyfishimi i anulimeve aktuale, teksa afrohet periudha më e ngarkuar e vitit, Dita e Falënderimeve, në fund të nëntorit.

Njoftimi

Gjatë gjithë ditës së 6 nëntorit, linjat ajrore amerikane janë përpjekur të kuptojnë në detaje masat e shpallura një ditë më parë nga Departamenti i Transportit i SHBA dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA). Qeveria amerikane u detyrua të ndërhyjë, duke ulur numrin e fluturimeve, nga frika se mungesat e shumta të kontrollorëve të trafikut mund të rritnin rrezikun e aksidenteve ajrore në vend. Vetëm në mbrëmje, pak orë para nisjes së anulimeve, kompanitë ajrore arritën të hartonin listën përfundimtare të fluturimeve që do të pezulloheshin.

Ku janë bërë anulimet

Aktualisht bëhet fjalë për anulime kryesisht në fluturimet kombëtare, midis qyteteve të vogla dhe qendrave të mëdha, por pa prekur linjat kryesore drejt aeroporteve ndërkombëtare apo fluturimet ndërkontinentale. Kompanitë amerikane po ulin gjithashtu frekuencat e fluturimeve, duke ruajtur vetëm linjat me më pak nisje ditore. Linjat ajrore të huaja nuk preken nga këto masa dhe mund të vazhdojnë programin e tyre normal.

Kompanitë e prekura

  • American Airlines: 235 fluturime të anuluara
  • Delta Air Lines: 149
  • Southwest: 121
  • United Airlines: 112
  • JetBlue: 25
  • Frontier: 25

Lista nuk është përfundimtare, pasi duhen shtuar edhe fluturimet private të anuluara. FAA ka përcaktuar që reduktimi i lëvizjeve në 40 aeroportet kryesore të vendit të bëhet në mënyrë graduale:

  • 4% ulje më 7 nëntor (nga ora 6 e mëngjesit, me orën lokale)
  • 6% më 11 nëntor
  • 8% më 13 nëntor
  • dhe 10% më 14 nëntor.

Të dhënat e fluturimeve

Sipas platformës së specializuar Cirium, më 7 nëntor në SHBA ishin planifikuar 25.375 fluturime; nga këto, 3% (rreth 748 fluturime) u anuluan — një pjesë e vogël prej tyre konsiderohet normale për arsye operacionale.
Për të shtunën janë parashikuar 21.748 fluturime (kombëtare dhe ndërkombëtare), por 365 prej tyre janë tashmë zyrtarisht të anuluara (1,7%) — një numër që pritet të rritet në mbrëmje (me orën shqiptare).

//Corriere Della Sera