SARANDË- Një ditë pas mbytjes së turistes angleze në Sarandë, policia ka vënë në pranga përgjegjësin e ekspeditës së zhytjes. Mësohet se në pranga ka rënë 45-vjeçari Saimir Kushova.

Policia thotë se Kushova kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes Greta Brozi në grupin e tij të punës. Ndërkohë, Kushova nuk i kishte siguruar 29-vjeçares mjetet e nevojshme për zhytje.Për këto dy arsye ai ka rënë në pranga, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Ngjarja e rëndë u shënua mesditën e sotme në vendin e quajtur "Vapori i mbytur" në Sarandë. Ekspedita nënujore turistike, organizohej nga "Spiranca Diving Center" tek anija e Luftës së Dytë Botërore e mbytur në gjirin e Sarandës. Spiranca Diving Center organizonte zhytje nënujorë në bregdet dhe pika të tjera turistike si Syri i Kaltër, Viroi në Gjirokastër etj. Vitet e fundit ishin bashkuar nismës së pastrimit të bregdetit nga gomat dhe mbetje të tjera ku gjatë 2 viteve u nxorrën rreth 2000 goma.

Si ndodhi ngjarja

Report Tv mësoi se kanë qenë 8 shtetas të huaj bashkë me 3 shtetas shqiptar, të cilët kanë qenë në ekuipazhin e anijes. Shtetasit e huaj kanë kryer edhe më parë zhytje, ndërsa 29-vjeçarja, herën e fundit që kishte kryer zhytje e kishte më janar të këtij viti. E reja ka arritur që të dalë në sipërfaqe të detit dhe ka bërë thirrje për ndihmë! Grupi me të cilin ishte i kanë bërë thirrje që të shtypë butonin e emergjencës, i cili hap jelekun e shpëtimit dhe lëshon bombulën e oksigjenit. Por 29-vjeçarja nuk ka arritur që ta shtypë dot. 

Madje dhe i dashuri i vajzës ka sqaruar se doli në ajër, por varka ka qenë 30 metra larg. Ai ka ecur në ujë gjatë zhytjes kur ka dalë dhe ka kërkuar ndihmë. Ekuipazhi i anijes ka qenë i specializuar dhe përpara se të bëjnë zhytje të gjithë kanë plotësuar një formular që dinë që të kryejnë zhytje. Jashtë e kanë nxjerrë 3 pronarët e anijes specialistë në zhytje. 8 shtetasit e huaj janë lënë të lirë, ndërsa 3 shqiptarët janë ende në komisariat.