Përfaqësues i të djathtës europiane, ku bën pjesë dhe Partia Demokratike, David McAllister, sikundër dhe të gjithë zyrtarët apo diplomatët europianë, evitoi të takonte kreun demokrat Sali Berisha, gjatë vizitës që zhvilloi dje në Tiranë. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE, McAllister u takua me Gazment Bardhin, Jorida Tabakun e Albana Vokshin, por nuk gjeti kohën për Sali Berishën, i cili gjatë një prononcimi për gazetarët u përpoq ta minimizojë mungesën e një takimi me McAllister. Berisha tha se nuk ka asnjë funksion në komisionet parlamentare dhe se takoi koordinatorin e grupit parlamentar të Partive Popullore, Michael Gahler.

“Unë takova koordinatorin. Me mua u takua koordinatori i grupit parlamentar të Partive Popullore. Unë nuk kam funksione në komisionet parlamentare, siç e dini. Ata vijnë për parlamentin dhe të gjitha takimet i bënë në selinë e parlamentit. Por në seli tek unë erdhi koordinatori i grupit parlamentar të Partive Popullore, pra ai që përfaqëson grupin me të cilin është i afiluar PD. Dhe u bë një bisedë jashtëzakonisht e rëndësishme. Kryetari përfaqëson të gjithë të tjerët.

Pra, e morët besoj përgjigjen. Kryetari i AFET është përfaqësues i të gjitha grupeve, kurse ai që është përfaqësues i PPE erdhi dhe zhvilloi një bisedë të zgjeruar, por ikën jashtëzakonisht të ndriçuar. Dhe mund t’u them domethënë se darka me Edi Ramën do mbahet mend prej tyre si unike në shkallën e legenosjes së mikpritësit që ata kanë parë ndonjëherë. Detaje nuk u jap, por do mbahet mend prej atyre burrave dhe grave për shkallën ekstreme të legenosjes, nuk do ta harrojnë kurrë”, tha Berisha.

Takimin e Berishës me Michael Gahler e ironizoi edhe Taulant Balla i cili praninë e tij në selinë e PD ia atribuoi në fakt deputetes demokrate Jorida Tabaku. “Juve s’u erdhi McAallister deri te partia, mirë që mori Jorida Michael Gahler e solli aty se kishit ngel bosh”, u tha Balla demokratëve në Kuvend.

Jashtë sallës së parlamentit, Berisha u pyet edhe për komentet e McAllister, i cili tha se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale.

Pyetje: McAllister tha se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci?

Berisha: Në linjë të plotë me Sali Berishën. A ke parë njeri që të ftojë si unë në mënyrë të përsëritur që është kryengritje paqësore?

Ndërsa nuk u distancua në asnjë moment nga dhuna dhe moltovët që hidhen drejt efektivëve, Berisha mbrojti ‘grupin e zjarrit’, duke thënë se edhe “mund të hyjnë njerëz të dëshpëruar që kryejnë veprime të këtilla dhe të atilla, por thirrja jonë është për protestë paqësore.”