TIRANE- Ministria e Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedim disiplinor për 8 gjyqtarë të cilët ushtrojnë detyrën e tyre në 7gjykata të vendit, të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Korçës, Elbasanit, Kavajës dhe Kukësit.

Kërkesa është depozituar ditët e fundit, pranë KLD-së. “Llojet e masave disiplinore të kërkuara nga Ministri i Drejtësisë janë në raport të drejtë me shkeljet e kryera prej gjyqtarëve dhe variojnë nga masa “vërejtje” deri tek “shkarkimi nga detyra”- njofton Ministria e Drejtësisë

Procedimet disiplinore bazohen në gjetjet e inspektimeve të zhvilluara si nga Inspektoratet e Ministrisë se Drejtësisë dhe Këshillit te Lartë te Drejtësisë. “Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur për të konsoliduar pushtetin gjyqësor në drejtim të efektivitetit të tij dhe rritjes se përgjegjshmërisë ndaj ligjit dhe Kushtetutës. “- mbyllet njoftimi për shtyp i cili nuk bën publik emrat e gjyqtarëve për të cilët kërkohet procedimi disiplinor.
(sg/shqiptarja.com)