Edhe pse paralajmërimet nga Policia e Shtetit kanë qenë të shumta që drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor në të kundërt nuk do të ketë tolerime, duket se për një pjesë të shoferëve këto këshilla bien në vesh të shurdhët. Fatmirësisht për ndalimin e ‘shoferëve të çmendur në timon’ që shpesh marrin jetë me mjetet e tyre kanë ndërgjegjësuar qytetarët të cilët i kanë denoncuar ata në polici. Rasti i fundit ishte i një shoferi 52-vjeçar i cili drejtonte në gjendje të dehur dhe me celular në dorë një frugon mallrash. Me kryerjen e testit të alkoolit, 52-vjeçari rezultoi me masën 0.77 mg/l, përdorte celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë duke rrezikuar jetën e përdoruesve të rrugës.
Policia Rrugore e Tiranës e ka bllokuar mjetin në rrugën "Bardhyl" dhe ka prangosur drejtuesin e tij, për të cilin është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit për 24 muaj, i janë zbritur 8 pikë nga leja e drejtimit, si dhe është ndëshkuar me masë 95.000 lekë të rinj.
Gjithashtu denoncimet e qytetarëve kanë qenë edhe për parkimet e gabuara duke u ndëshkuar me gjobë 123 drejtues mjetesh, shumica në Tiranë.
Edhe pas tragjedive të rënda më vdekje për shkak të shpejtësisë në rrugë, duket se ka ende nga ata ‘trima’ që nuk pyesin as për jetën e tyre dhe as për të qytetarëve. A.K. u gjobit me 20 000 lekë të rinj dhe heqje të lejes së drejtimit me 3 muaj pasi u kap duke ecur me 174 km/h në rrugën interurbane Fier -Vlorë.
Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh, nga të cilët 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilat 33 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 10 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 2481 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.
Futini brenda dhe mos i nxirni diten tjeter por lerini disa vite atje , dhe besoj se kur te dalin nuk do ecin si idiota
Përgjigju