SHBA- Presidenti i zgjedhur Joe Biden bëri dozën e parë të vaksinës së kompanisë Pfizer kundër koronavirusit të hënën në një spital në Nuark të shtetit Delauer.
Presidenti i zgjedhur kishte shkuar për t’u vaksinuar së bashku me të shoqen, Jill Biden. Ndërkohë që pas, tre javësh ai dhe zonja Biden do të bëjnë dozën e dytë të vaksinës.
"Kjo është thjesht e mahnitshme", tha Biden pasi bëri vaksinën, teksa shtoi se u detyroheshim shumë shkencëtarëve dhe mjekëve për punën e bërë.
“Ajo që unë dua të them është se ua kemi shumë borxh këtyre njerëzve. Shkencëtarët dhe njerëzit që e bënë këtë të mundur, punonjësit e vijës së parë, njerëzit që ishin ata që në të vërtetë bënë punën klinike, kjo është thjesht e mahnitshme. Do të doja të kishim kohë për të shkuar në të gjithë spitalin për të parë sa të zënë dhe të pabesueshëm që jeni të gjithë. Dhe ju detyrohemi shumë”, ka thënë Biden pasi ka bërë vaksinën.
Më herët e ka bërë vaksinën edhe zëvendës presidenti aktual amerikan, Mike Pence.