Në fund të faqes së veprës shkruan "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622? (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622.
Veprat e ipeshkvit të jashtëzakonshëm imzot Pjetër Budit (1618-1621). Dy breza pas dom Gjon Buzukut, vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë, ajo e Imzot Pjetër Budit (17) (1566-1622), autorit të katër veprave fetare, me përmbajtje të doktrinës së krishterë, në gjuhën shqipe. Imzot Pjetër Budi lindi në fshatin Gur i Bardhë në krahinën e Matit. Po të rrinte në vendlindje nuk do të kishte marrë shkollimin e nevojshëm të rregullt, prandaj vajti e mësoi për prift në të ashtuquajturin Kolegj Ilirian të Loretos (Collegium Illyricum i Zonjës Sonë të Lurias), në jug të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë e dalmatë me emër.
Në moshën njëzetenjëvjeçare shugurohet meshtar katolik dhe dërgohet menjëherë në Maqedoni e Kosovë, në atë kohë pjesë të krahinës kishtare të Serbisë nën juridiksionin e Argjipeshkvit të Tivarit (Antivari), ku dhe shërbeu në famulli të ndryshme në dymbëdhjetë vitet e para. Më 1610 përmendet si 'kapelan i kristianizmit në Shkup', kurse më 1617 si kapelan në Prokuple në Serbinë jugore.
Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër Portës.
Më 1599, Budi u emërua Vikar i Përgjithshëm (vicario generale) i Serbisë, vend që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, ai jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Misioni i tij kishtar ishte nga shumë anë një veprimtari e jashtëzakonshme për përforcimin e jetës shpirtërore të grigjës besimtare që kishte në udhëheqje e nën mbrojtje si dhe kultivimin e vetëdijes kombëtare e të vlerave etnike e kulturore të popullit.
Imzot Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë.
Më 1616 Pjetër Budi shkoi në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikëqyrur botimin e veprave të veta. Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një shtegtim tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë, te shenjtërorja e njohur e Shën Jakut Apostull. I kthyer në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e Kuries Romake , çka do të thotë të Selisë së Shenjtë të Romës kundrejt gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë të armatosur.
Më 20 korrik 1621 u bë ipeshkëv i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), do të thotë. i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe njëkohësisht fetar e Kishtare dhe e natyrës politike e kombëtare.
Një nga synimet e tij ishte që të rriteshin thirrjet meshtarake vendore, pra shqiptare, të rritej kleri vendas për të plotësuar nevojat shpirtërore e posaçërisht edhe ato kombëtare, pasi për veprimtaritë ungjillëzuese e apostolike, përkujdeseshin edhe misionarët e huaj, edhe pse jo gjithmonë arrinin t'i plotësonin nevojat e shqiptarëve vendas, veprimtari kjo që nuk do të arrihet të realizohet për shkakun e shumë vështirësive që ekzistonin, nga mungesa e strukturave si Seminare, Kisha e shkolla filozofie e teologjike, deri te mjetet për mirëmbajtje të studentëve e tjera.
Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjeve, ipeshkvi imzot Pjetër Budi u mbyt duke kaluar Lumin Drin. Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur këtë figurë të rëndësishme kombëtare e kishtare, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta (18).
Të dhënat biografike që kemi për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër Budi ia drejtonte kardinalit Goxadinit (Gozzadini) në Romë, në të cilën ai parashtron planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve. Në këtë letër ai theksonte edhe: "... gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona."
Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, ipeshkvi imzot Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave me përmbajtje fetare të krishterë tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh?
Vepra e parë e imzot Pjetër Budit është Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe një ndër kopjet origjinale ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna: "Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori."
(Vepra "Doktrina e Krishterë", e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve.) E shënuar me dorë në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622? (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).
Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte Kardinal dhe Jezuit, i kanonizuar dhe deklaruar doktor i Kishës më 1930, vepra Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin e në mbrojtje të të vërtetave të Kishës katolike romake. Vepra Doktrina Kristiane 'e vogël' e tij, një vepër që Kundërreforma kishtare e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, uellse, arabe (1613) dhe greke (1616). Përkthimi shqip i Doktrinës Kristiane prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.
Doktrina Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregata Propaganda Fides e Selisë së Shenjtë në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Kongregatës Propaganda Fides kishte ende gjithsej 960 kopje të librit(19).
Me interes të madh letrar e fetar, si katekizëm, përmbajtje e doktrinës së krishterë, vepra ka edhe pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare apo shpirtërore në shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.
Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin:
"Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv."
(Ritual romak dhe Pasqyrë rrëfimi. Përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)
Po në dorëshkrim në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622? (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56).
Ky botim përmban: 1) Rituale Romanum ose Rituali Roman, një përmbledhje prej 319 faqe lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe; 2) një vepër e shkurtër me titull Kush thotë Meshë keto kafshë i duhetë me shërbyem, 16 faqe shpjegime meshash, dhe; 3) Speculum Confessionis ose Pasëqyra e t'rrëfyemit, një përkthim 401 faqesh ose, më saktë, një përshtatje e Specchio di Confessione të Emerio de Bonis, i cilësuar nga Budi si "një lloj bashkëbisedimi shpirtëror fetar shumë i dobishëm për ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe."
Si Rituali Roman ashtu edhe Pasqyra e të Rrëfyemit kanë shtojcë në vargje në gjuhën shqipe. Gjuha e përdorur nga Budi në veprat e tij është një formë arkaike e gegërishtes që ruan disa tipare fonetike interesante(20). Eqrem Çabej (1908-1980) ka vërejtur se Budi është munduar më fort të ndjekë një farë norme letrare se të shkruajë thjesht në dialektin vendës të tij, gjë që përsëri mund të merret si tregues i ekzistencës së një farë tradite letrare në Shqipërinë veriore. Alfabeti i përdorur prej tij është i ngjashëm me atë të paraardhësit, Gjon Buzukut, ndonëse Budi në asnjë vend nuk e zë në gojë Buzukun.
Në shikim të parë imzot Pjetër Budi mund të merret si përkthyes dhe botues tekstesh fetare nga latinishtja dhe italishtja. Në të vërtetë rëndësia e tij si shkrimtar i prozës e kapërcen këtë cak. Parathëniet e ndryshme, letrat baritore, shtojcat dhe passhënimet e vëna prej tij e që arrijnë në mbi njëqind faqe prozë origjinale në shqip, zbulojnë një stil dhe talent të konsiderueshëm. Krahasuar me Gjon Buzukun para tij e me Pjetër Bogdanin një shekull më pas, gjuha e tij është më e mirëfilltë, më e gjallë e idiomatike. Për shembull, për shumë terma të huaj që përdor, ai përpiqet të japë sinonimet me origjinë nga shqipja. Edhe pse jo aq i hollë e i thellë sa Bogdani me leksikun e tij më të madh, Budi mbetet shkrimtari më i vetvetishëm e më prodhimtar i periudhës. Pjetër Budi është gjithashtu shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua poezisë. Veprat e tij përfshijnë rreth 3300 vargje fetare, thuajse të gjitha në strofa katër vargje me rimë të këmbyer. Kjo poezi, nëntëmbëdhjetë poema gjithsej, përfshin si përkthime poetike ashtu edhe poezi origjinale nga Budi vetë, si edhe të paktën një e ndoshta edhe dy vjersha(21) nga një Pal Hasi ose Pali prej Hasit. Pjesa më e madhe e kësaj poezie është tetërrokëshe, që është dhe normë në poezinë popullore shqiptare. Edhe pse poezisë fetare të Budit nuk i mungon stili, meqenëse përmbajtjen e ka imitim të poezisë moraliste italiane e latine të kohës, ajo nuk është mjaft origjinale. Atij i pëlqejnë më shumë temat biblike, panegjirikët dhe motivet universale si, fjala vjen, ai i pashmangshmërisë së vdekjes. As rimat e tij nuk janë gjithmonë elegante, gjë që vjen pa dyshim pjesërisht edhe nga leksiku i tij i kufizuar, që është llogaritur deri në 2453 fjalë(22).
Në parathënien e tij për Doktrinën e Kërshtenë, Budi thotë: "Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit, të shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit." Kjo Ditë e Gjyqit ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të murgut françeskan Thoma nga Çelano (Thomas a Celano, rreth 1200-1255). /ATSH/