'Më 29 maj 1914, u formua Kabineti i ri qeveritar, ku Turhan Pasha, mbajti sërish postin e Kryeministrit, por…'/ Libri i ri Nikoll Lokës

'Më 29 maj 1914, u formua Kabineti i ri qeveritar, ku Turhan Pasha, mbajti sërish postin e Kryeministrit, por…'/ Libri i ri Nikoll Lokës

Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.

“Me datën 7 shtator 1913, u ba nji kuvend në Lezhë për me gjet “Rrezen e Shqypnies”. Mbasi e pleqnuen pesë bajrakët e Mirditës, tre të Kthellës, katër të Malësisë Lezhës e, Lezha me ta, thanë se duen me e njoft Prengë Bibë Dodën për Rreze të Shqypnies. Por Kurbini, Bregu i Mates, Zadrima e Puka, u përgjigjen se tu kenë se sod m’sod, Shqypnia nuk ka ene derë, asht kot me kërkue rrezen e saj, e prandaj ata dojshin me njoft për Princ njat njeri, që Europa ta shënjojë për me sundue Shqypninë, gjanë e gjatë prej kufinit t’Malit të Zi, deri në Greqi e prej kufinit t’Serbisë, deri m’det Adriatik. Sa për Ekselencën e Tij, Prengë Bibë Doda, thanë se atyne u kënaqej zemra, tuj e ditë se asht një yll i shndritshëm, n’qiell aristokratik t’Shqypnies”. (489)

Kundërshtimet pra qenë të menjëhershme, pasi ajo kërkesë e natyrshme u keqkuptua, sikur; “Mirdita po kërkonte t’u imponohej përmes Kapidanit të saj, krahinave të tjera”. Në gazetën “Shqypnia e Re”, shkruhet për këtë rast: “Na malsort me Lezhë, Pukë e Kurbin, nuk kena lidh kurrfarë bese me Mirditë, se kjo ma shumë se besë lyp, asht me shtrue nan hyqëm të gjithë ato vene, ku me gjak tash sa muej, e kena temelue e jena mundue me e ruajt dhe e kena ruajt Qeverinë e Përteshme të Leshit”. (490)

Sa për Princin, nuk asht koha sot me e përmend, manej na nuk e kemi në dorë. Por Princi i Shqypnisë, s’mundet me qenë as kongolez, as austriak e as Italian. E sa për Prengë Pashën, kujtojmë se as ndërmend nuk e ka pa këtë punë, jo qi nuk i ka shkue ndërmend, as nuk mund t’i shkojë kuj ndërmend. Asht koha që t’i lamë sot njto punë të vogla e këto gergesa, se kujtojmë qi jem lodh, e të kqyrim do nevoja ma të mëdha që pat Shqypnia prej nesh. (491)

Mirditasit ishin ndjerë keq nga ky qëndrim dhe e kishin përsërit atë kërkesë, në një kuvend të dymbëdhjetë bajrakëve. Në një kuvend të 12 bajrakëve të mbajtur në Orosh, u kërkua që: “ai të njihej si Princ i Shqipërisë”. (492) E gjithë “fushata elektorale” e Prengës, ishte zhvilluar kur ai ishte jashtë vendit. Si të gjitha çështjet e tjera, edhe zgjedhja e Princit, u bë nga ndërkombëtarët dhe ishte rezultat i kompromiseve ndërmjet tyre. Për zgjedhjen e Princit, duheshin mbajtur parasysh ekuilibret e brendshme: ndarjet krahinore dhe fetare, si dhe interesat e Fuqive të Mëdha, që kishin vendosur mbi krijimin e shtetit shqiptar. Asnjë kandidat shqiptar, nuk mund t’i plotësonte të gjithë kriteret. Sidoqoftë, në mjedisin politik të kohës, është folur për kandidaturën e Princit të Mirditës. Nopça shkruan: “Në këtë kohë, doli në pah edhe Prenk Bibë Doda, i cili udhëtonte tutje e tëhu, midis Vjenës dhe Romës”. (493)

Prengë Bibë Doda, qe regjistruar si njëri ndër dyzet e katër pretendentët, për Fronin Mbretëror të Shqipërisë, por në kushtet kur Fuqitë e Mëdha ishin në kërkim të një Mbreti me origjinë të huaj, shanset e Prengës për t’u bërë Mbret, ishin të pakta. Si regjent i Shqipërisë, sigurisht, kishte për t’u zgjedhur një princ i huaj, sepse për shkak të ndarjeve të mëdha politike, asnjë nga pretendentët vendas, nuk kishin ndikim të madh përtej krahinave të tyre. Ethet e Fronit shqiptar, kishin përfshirë shumë qarqe politike të interesuara për Shqipërinë. Që në marsin e vitit 1912, Ferdinandi Burbon – Orleans, Duka i Montpensierit, kishte shkuar në Vlorë me një anije angleze dhe kishte shpallur kandidaturën e tij, për fronin e Shqipërisë. I pritur përzemërsisht nga shqiptarët, ai u nis për në Romë, Paris, Vjenë dhe Londër, me Isa Boletinin, për të marrë mbështetje për pavarësinë e Shqipërisë… (494)

Duka ishte i afërm me familjet më të rëndësishme që qeverisnin Evropën. Përveç Montpensierit, midis pretenduesve të fronit, ishin edhe princat Maurizio, i Schaumburgut-Lippè dhe Karl von Urach, (495) Po ashtu, familja e Bonapartëve, kishte tre kandidatë: princat Viktor, Louis dhe Roland Bonapart. Pretendentë të tjerë, ishin gjermanët: Mauricio Schonbourg-Lipe, duka Karl von Urach, princi Karl von Hohenzllern dhe princi Wilhelm Friedrich Heinrich Von Wied; anglezi Arthur i Connaught; suedezët: Duka Vilhelm Soedermanland dhe Duka Karls Westgothland, si dhe princi danez Aksel. (496) Nga Austro-Hungaria dhe nga Vatikani, mbështetej kandidatura e Dukës Wilhelm Herzog von Urach. Por, kjo kandidaturë nuk pati përkrahje nga Italia, e cila së bashku me Rusinë, nuk dëshironin një princ katolik dhe, sigurisht, asnjë favorit të Vjenës, që do ta kthente Shqipërinë në një protektorat austriak. (497)

Shpresa për të marrë fronin shqiptar, kishte edhe Mbreti Nikolla i Malit të Zi, i cili mbajti kontakte me disa përfaqësues të Shqipërisë së Veriut, që e vizituan në Cetinë dhe, si shpërblim për mbështetjen që i dhanë, morën para dhe armë. (498) Porta e Lartë, gjithashtu, përdori të gjitha mjetet, që në krye të Shqipërisë, të vendosej një princ i Oborrit Mbretëror Osman ose, të paktën, një princ tjetër i propozuar prej saj. Nga katër kandidatët e propozuar prej Stambollit, Burhan Edin dhe Abdyl Mexhit, ishin pjesëtarë të dinastisë osmane. (499) Ndër pretendentët që kishin prejardhjen shqiptare ose, që ishin shqiptarë, përmendim markezin Italian, Di Aluetta dhe fisnikun spanjoll, Don Juan Aladro Castriota Perez Velasco. Një tjetër pretendent me origjinë shqiptare, ishte princi Albert Gjika, që kishte mbështetje, kryesisht, ndër kolonitë shqiptare në Rumani dhe Bullgari.(500)

Ndërsa ministri i Luftës i Perandorisë Osmane, gjenerali Ahmet Izet Pasha, me prejardhje shqiptare nga Manastiri dhe Ahmed Fuad Pasha, pjestar i dinastisë mbretërore të Mehmet Ali Pashës, u propozuan nga Porta e Lartë. (501) Më në fund, mbas shumë presionesh, përgjegjësia ra mbi Austro-Hungarinë dhe Italinë, që zgjodhën Vilhelm Vidin, një princ gjerman protestant, i huaj që nuk kishte aspak të bënte me grindjet dhe koniukturat shqiptare. Kjo zgjedhje, u bë menjëherë e njohur. (502) Me aq fushatë që bëri dhe me aq mbështetja sa fitoi, Prengë Bibë Doda, mundi ta regjistronte emrin, ndër pretendentët për Fronin Mbretëror të Shqipërisë, që ishte diskutuar në tryezat diplomatike të Fuqive të Mëdha, sigurisht pa ndonjë shans për të fituar.

Ministër, në dy qeveritë e Princ Vidit

Në javën e tretë të dhjetorit të vitit 1913, Ismail Qemali, i telegrafoi Arqipeshkëvit të Shkodrës, Imzot Serreqit, Abatit të Mirditës, Imzot Prend Doçit, Prengë Bibë Dodës etj., se Princ Vidi, është caktuar zyrtarisht nga Fuqitë e Mëdha, si Sovran i Shqipërisë, dhe u lutet që ata të bashkëpunojnë për zgjedhjen e delegacionit, që do t’i ofrojë Princit kurorën. (503)

Ishte një ngjarje e madhe, po të kemi parasysh se për herë të parë që nga periudha e ilirëve, shqiptarët do të kishin Mbretërinë e tyre, në shtetin e tyre të pavarur. Në shoqërinë shqiptare, ky lajm ngjalli optimizëm të natyrshëm, ndërsa te politikanët edhe dilema, nëse do të mund të bëheshin të preferuarit e Princit të ri. Në shkurt të vitit 1914, Preng Bibë Doda së bashku me Dom Ndoc Nikajt dhe Zef Skiroin, shkuan në Brindizi dhe prej andej në Bari, ku kishin ndërmend që së bashku me delegatë të tjerë, të shkonin si në shtëpinë e Vilhelm Vidit. Një përfaqësi, në emër të popullit shqiptar, do t’i dorëzonte Princit kurorën e Shqipërisë. (504)

Delegacioni shqiptar, kryesohej nga Esad Pasha dhe shihej në qarqet politike, si një përpjekje për ta larguar pashain Toptanas, nga rruga e tij e përçarjes. Komisioni i Kontrollit, i vuri Esad Pashës kushtin e vetëm, që të jepte dorëheqje nga Kryetar i Qeverisë së Durrësit, përpara nisjes, dhe e ngarkoi të udhëhiqte përfaqësinë që do t’i ofronte kurorën Princit. (505)

Delegacioni shqiptar që shkoi në Gjermani me 21 shkurt 1914, përbëhej nga personalitete të shquara të jetës shqiptare, si: Esad Pasha, Nikollë Kaçorri, Xhemil Bej Vlora, Spiro. G. Koleka, Jusuf Hamazaraj, Milto Shazivari, Shefqet Vërlaci, Lef Nosi, Ahmet Hastopalli, Ndoc Çoba, Pashko Kakarriqi, Sami Vrioni, Hysen Vrioni, Iljaz Vrioni, Abdyl Ypi, Mihal Turtulli, Eqrem Bej Libohova, Eqrem Bej Vlora dhe Hasan Prishtina. (506)

Siç shihet, në delegacion mungonte Prengë Bibë Doda dhe ka shumë mundësi që kjo mungesë, të ishte zgjedhje e tij personale, pasi sipas të gjitha gjasave, nuk i kishte pëlqyer fakti se atë delegacion, do ta udhëhiqte Esad Pasha.

Me 12 shkurt, Esad Pasha u nis nga Shqipëria për misionin e tij solemn, pasi kishte mbajtur një fjalim lavdërues për Princin, duke u shprehur: “Ndihem krenar dhe i lumtur, për misionin që më kanë ngarkuar”. Më 21 shkurt, Neuwied, qytet i Prusisë pranë lumit Ren, ishte i zbukuruar për festë, me një hark triumfi përpara kështjellës së Vidëve. Princi, përshëndeti Esad Pashën, i cili me anë të një fjalimi, në emër të popullit shqiptar, i kërkoi Princit që ta pranonte fronin e “Shqipërisë së lirë e, të pavarur”. Esad Pasha, kishte theksuar se; “populli shqiptar, ishte detyruar të luftojë me zjarr për lirinë e tij dhe kurrë nuk e ka harruar, të shkuarën e tij të lavdishme. Populli shqiptar, ka ditur të mbajë shpirtin nacionalist dhe gjuhën e të parëve”. Kryetari i delegacionit shqiptar, e garantoi Princin se; “Shqiptarët kanë për të qenë, pa përjashtim, shtetas besnik të Madhërisë Suaj dhe gjithmonë të gatshëm, për të ndihmuar punën Tuaj, për t’i dhënë Shqipërisë një të ardhme më të mirë” dhe e përfundoi fjalimin me thirrjen; “Rroftë Mbreti i Shqipërisë”! Vilhelm Vidi, iu përgjigj në gjermanisht, duke pranuar fronin e “vendit që mbas luftimesh dhe vështirësish të shumta, kishte arritur që të ishte i lirë” dhe u betua se do të punonte për mirëqenien e popullit shqiptar. Pas ardhjes së Princit, shteti shqiptar, filloi të njihet nga shtetet e tjera. Në vitin e parë të Mbretërisë, Rumania, Italia, dhe Austro-Hungaria, i kaluan konsujt e tyre, në ministra fuqiplotë. (507)

Në dy qeveritë që krijoi Vidi në Shqipëri, Prenga u përfshi në kabinetin qeveritar. Në kabinetin e parë të Turhan Pashës, qe emëruar Ministër për Punët Botore, por nuk e kishte pranuar atë funksion dhe për javë të tëra, i kishte rezistuar presionit për të mos e pranuar portofolin e ofruar, deri sa u tërhoq përfundimisht nga kjo sipërmarrje dhe u kthye në Mirditë. (508)

Princi i Mirditës, kërkonte në kabinet një post të rëndësisë së parë, sepse ai vinte nga funksioni i Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Përkohshme. Ai u tërhoq me mirëkuptim nga Qeveria, në pritje të marrjes së një portofoli tjetër. Gazeta “Shqipëria e Re”, shkruan në lidhje me situatën që u krijua me kundërshtimin e Prengë Pashës, për të marrë postin e premtuar. “Kur kje Prengë Bibë Doda në Durrës, Dr. Turtulli, Ministri i Arsimit, i kishte sugjeruar që; si Ministër i Punëve Botore; të angazhohet me tharjen e kënetave të Durrësit e; ta fillonte punën si Ministër nga ato. Shkëlqesia e Tij, Prengë Bibë Doda, nuk e pranoi portofolin, sikurse të gjithë e dimë ia ktheu: Shkëlqesia e Tij Dr. Turtulli, a je fjet”?! (509)

Esad Pasha, brenda kabinetit, filloi punën për ta minuar shtetin shqiptar, në funksion të realizimit të ambicies së vet, për t’u bërë “Princ i Shqipërisë”. Bibë Doda, ishte bashkuar me planin e largimit të Esad Pashës nga Kabineti, me premtimin se do ta emëronin Guvernator të Shkodrës. (510) Me 19 maj 1914, ai u arrestua. (511) Largimi i Esad Pashës, krijoi hapësirën e nevojshme për fillimin e bisedimeve për ri kompozimin e Qeverisë. Me 29 maj, u formua Kabineti i ri qeveritar, ku Turhan Pasha, mbajti sërish postin e Kryeministrit, por dorëzoi atë të Ministrit të Punëve të Jashtme, te Prengë Bibë Doda. (512)

Gjatë kësaj periudhe, Prenga punoi me mish e me shpirt, që vendi të shkonte drejt normalitetit. Emërimi i Bibë Dodës, në krye të politikës së jashtme, ishte pritur mirë në masën e gjerë se; “emnimi i Prengë Bibë Dodës për Ministër të Punëve të Jashtme, ka ba nji përshtypje gazmore dhe asht theksue se në Shqipninë e Epërme, ka influencë të madhe, mbas të cilit vrapojnë të gjithë si fmija mbas atit. Ai, në kohën kur erdh rasa e shfaqi fuqinë e vet, u diftue i thjeshtë, besnik i Mbretit Vilhelm dhe i Atmes Shqypnië”. (513)

Qeverimi në periudhën e Mbretit Vid, ishte ndërlikuar nga intrigat italiane, ruse e franceze, si dhe nga dallaveret e mbrojtësve të tyre, nga “imuniteti” që gëzonte Greqia, për të gjitha makinacionet e veta, por edhe nga “ruajtja e asnjanësisë së”, prej Gjermanisë dhe Anglisë, që ia bënë të pamundur kryerjen e detyrës Turhan Pashës dhe shënuan fatin e mbretërimit të shkurtër, të pinjollit të familjes Hohenzolerne”. (514) Më 2 maj 1914, nisi një lëvizje e re e turqve të rinj, e drejtuar nga Arif Hikmeti, si eksponent i tyre. Nga ana e tij, ai kishte nisur të bënte propagandë në Dibër, për të proklamuar si Mbret të Shqipërisë një princ turk. Propaganda të njerëzve dhe në qarqet politike e intelektuale shqiptare, gazeta “Shqypnia e Re”, shkruan e Arif Hikmetit, ishte shoqëruar me shuma të mëdha të hollash. (515)

Sipas të dhënave, kishin kaluar me anë të postës nga Beogradi 10 mijë napolona ar, për Arif Hikmetin në Dibër, ku ai kishte për të komanduar një bandë të armatosur prej serbëve. Ai fillimisht bashkëpunoi me Beqir Grebenenë, pastaj me serbët dhe më pas me Esad Pashë Toptanin. (516) Arif Hikmeti, konsiderohej nga qarqet diplomatike të kohës, si një agjitator i rrezikshëm, mbasi zotëronte një dhuratë të rrallë, elokuencën, e cila atij i mundësonte të lëvizte turmat e fanatikëve, në çdo drejtim që ai zgjidhte. (517) Në shpërthimin e kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, kanë ndikuar agjentët pro-xhonturq, mes të cilëve duhen përmendur; Musa Qazimi, Hamdi Rubejka, Qamil Haxhi Fejza, Mustafa Ndroqi dhe Haxhi Qamili, që nxitën së pari fshatarët e rraskapitur dhe analfabetë të Shqipërisë së Mesme. (518)

Gazeta “Dielli”, shkruante se: “Kjo lëvizje, ishte e ushqyer prej Turqisë, e ndihmuar prej Serbo-Greqisë dhe e përhapur prej Italisë. Ajo u rrit nga pakujdesia e qeverisë, shumica e së cilës, mbahej vetëm me këtë propagandë dhe ishte e kompromentuar me kryengritësit”. (519)

Në datën 7 janar 1914, anija “Meran”, do të sillte ushtarë dhe oficerë të pajisur me pasaporta turke, si tregtarë dhe ushtarë shqiptarë. Ato erdhën në Atdhe, me pretekstin se lufta kishte mbaruar. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, me të marrë lajmin, urdhëroi që prej oficerëve holandezë, të cilëve u ishte besuar rregullimi i xhandarmërisë dhe i policies, të kontrollohej anija. Pas kontrollit të ushtruar, u gjet një listë me emrat e 202 personave, dhe një shumë e konsiderueshme ari dhe dinamiti. Pas zbulimit të këtij komploti, 202 ushtarët u kthyen mbrapsht, me të njëjtën anije për në Trieste, ndërsa 6 oficerët, midis tyre dhe Beqir Grebeneja, i njohur me pseudonimin Besim Elbasanli, Efendiu, u arrestuan dhe u dënuan me vdekje. (520) Turqia i mohoi akuzat se ka gisht në këtë ngjarje, duke ua lënë strukturave joqeveritare organizimin e saj, megjithatë qeveria austro-hungareze, i bëri një paralajmërim të fortë Potrës: “Në rast se Vidit, i ndodh diçka në Shqipëri, përgjegjësia bie mbi qeverinë turke”. (521)

Në këtë kohë, shovinistët grekë të fshehur si “vorioepirotë” pushtuan disa territore në jug të vendit dhe terrorizonin banorët. Me dekret mbretëror, u dha urdhër-thirrje për mobilizim nën armë, për Starovën, Beratin, Elbasanin dhe Tiranën. Për përforcimin e ushtrisë në Korçë, do të dërgoheshin përforcime prej 25 mijë vetash. (522)

Në Shqipërinë e Mesme, me thirrjen e Mbretit, Prengë Bibë Doda qiti kushtrimin në Mirditë, Malësi e Madhe, Dukagjin dhe Malësia e Gjakovës. Me 12 maj, ishte bërë mbledhje në Kallmet, me krerët e Shkodrës, Mirditës, Pukës, Gjakovës e Zadrimës, ku u caktu dita e nisjes. Thirrja pati ndikimin e vet në Shkodër, ku u mblodhën firma, për të shkuar në luftë. (523) Ishte bërë një mbledhje, ku morën pjesë 14 vetë, nga dy për çdo krahinë. Ishte vendosur, të mobilizohen nga një burrë për ship, prej të gjitha viseve. Një delegacion i përbërë nga; Imzot Bumçi, Dedë Gjo Luli, Marka Gjoni, Hysni Curri dhe Filip Kraja, ishte nisur për Durrës, për t’ia paraqitur Mbretit vendin e mbledhjes. (524)

Për t’u mbrojtur nga arritja e kontingjenteve nga Turqia, që mund ta destabilizonin vendin, u dha urdhër për oficerët e vaporëve austro-hungarezë dhe italianë, që të kontrollojnë vaporët e shteteve të tyre, që dyshohet se transportojnë trupa turke, armë dhe municion. (525) Kërkesa e Kolonelit Filips, për dërgimin e një kompanie ushtarësh të shkëputur nga garnizoni i Shkodrës, për të mbikëqyrur portin e Shëngjinit, që të ndalohet zbarkimi i bandave të dërguara nga Komiteti “Bashkim dhe Përparim”, u pranua shpejt. (526) Turqia, po shfrytëzonte gjendjen e vështirë të Shqipërisë, për të ndërhyrë në funksion të interesave të veta. (527)

Qeveria e Turhan Pashës, nxori një urdhër për mbledhjen e rezervistëve, për tu mobilizuar. Më 17 maj, kur reparti i forcave qeveritare, u nis në drejtim të Jugut, u sulmua nga grupe fshatarësh të armatosur, veprim ky që shënoi edhe fillimin e rebelimit në Shqipërinë e Mesme. Kryengritja filloi në Shijak dhe u shtri më pas në qarkun e Durrësit e të Elbasanit. Esad Pashë Toptani, pavarësisht se mbante poste ministrore, në kabinetin e Turhan Pashës, në fillim të muajit maj, filloi të zhvillonte propagandën e tij, në mbështetje të rebelëve. (528)

Ai shfrytëzoi njohuritë jo të plota, që kishte Princi për vendin tonë dhe, me pretekst se po dërgonte trupa për të luftuar kundër Greqisë, shpërndau armë në krahinën e Durrësit, Elbasanit e të Shqipërisë së Mesme. Po kështu, me anën e agjentëve të tij, përhapte urrejtje dhe mëri në popull, kundër Princit dhe ndizte zjarrin për ardhjen e një princi turk, nën të cilin fshihesh ai vetë. (529)

Në lidhje me veprimtarinë e Esad Pashës, Ambasadori osman në Romë, i shkruan Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Stamboll: “Kur në jug, barbarizmat e grekëve po zhvilloheshin me tërbim, në Durrës u zbulua se armët e shpërndamë prej tij, nuk kishin qenë për luftën kundër grekëve – sepse ky me Varatasin, ishin marrë vesh, për të armatosur përkrahësit e tij në Shqipërinë e Mesme. Kjo ishte një provë e re, që tregonte se ai nuk punonte as për Shqipërinë dhe as për independencë e saj. Ai kërkonte, sipas marrëveshjes sekrete me serbët, një copë tokë, Shqipërinë e Mesme, ku vet ai t’ish Princ e Bej. Memorie.al

 ‘Shqynia e Re’, 21 shtatuer 1913, Nr.23, f.2

‘Shqipëria e Re’, Nr.18, 7 shtatuer 1913, f.2

AIH, D.23.12.1236, Relacion i konsullit austro-hungarez në Durrës dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Durrës, 6 janar 1913

Robert Elsie, Paron Nopça dhe Kongresi i Triestes, Hylli i Dritës, Shkodër, 2006, Nr. 3, f. 19-28.

Ferdinando Salleo, Shqipëria, gjashtë muaj mbretëri, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë 2000, f.27

Ferdinando Salleo, Shqipëria, gjashtë muaj mbretëri,…,f.28.

Arben Puto, Pavarësia…, f.566.

Peter Bartl, Garat e fisnikëve evropianë për të marrë fronin princëror shqiptar, Albanovaonline -14 shtator 2004.

Peter Bartl, Garat e fisnikëve evropianë për të marrë fronin princëror shqiptar, Albanovaonline -14 shtator 2004.

Ferdinando Salleo, Shqipëria, gjashtë muaj mbretëri…, f.28-29.

Peter Bartl, Garat e fisnikëve evropianë për të marrë fronin princëror shqiptar, Albanovaonline -14 shtator 2004.

Peter Bartl, Garat e fisnikëve evropianë për të marrë fronin princëror shqiptar, Albanovaonline -14 shtator 2004.

Ferdinando Salleo, Shqipëria, gjashtë muaj mbretëri …,f. 29..

HHStA PA A, Vj. 23-23-2326, Relacion i Konsullit të Përgjithshëm austro-hungarez në Shkodër, Halla drejtuar Minsitrit të jashtëm, Kontit Berchtold në Vjenë, Shkodër 19 dhjetor 1913.

Historia e Popullit Shqiptar, vëll.III…, f.58505. Ferdinando Salleo, Shqipëria…,f. 32.

506.. Gazeta “Taraboshi”, 7-8 shkurt 1914.

HHStA-PA-A, Vj.24-41-4126.

P.A.A.A., Nadolny-Durazzo an Seiner Exzellenz dem Reichskanzler Herrn von Bethmann Hollëeg, Berlin, 21.04.1914, Nr.40, R.4281; Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, …f.644.

‘Shqipëria e Re’, 19 prill 1914.

AMHSH, Fondi i AMPJ të Austro-Hungarisë, Vjenë 1914, f.473-479, artikull i gazetës “Shekulli XIX”, datë 8 shkurt 1914, me titull “Mirditasit dhe princi i tyre”. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914 f.641

Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, botimet “UET Press”, Tiranë 2010, f.649

Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, botimet “UET Press”, Tiranë 2010, f.656-657

‘Besa Shqyptare’, 24 maj 1914514. Ferdinando Salleo, gjashtë muaj mbretëri,… f.641

HHSt. A. PA. A, AIH, Vj. 24-23-2315, Shkup 23 maj 1914,

T, A.Goslinga, The Dutch in Albania, Roma 1972, f.31, cituar sipas Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, botimet “UET Press”, Tiranë 2010, f.661

PRO.FO.371.1894 f.382, doc.no.23646, Sir Maurice de Bunsen to Sir Eduard Grey, Vienna, may 24, 1914

Ismail Strazimiri, Lufta kundër Pavarësimit të Shqipërisë, (Kujtime Historike), Tiranë: “Naimi”, 2010. f. 46.

Gjendja e Shqipёrisё, gazeta “Dielli”, datë 24 korrik 1914; shih Sejfi Vllamasi, ‘Ballafaqime politike në Shqipëri’, f.86

HHSt. A. PA. A në AIH, Vj.24-11-1176.Vlorë, Teleg. i komandës së Pamler dërguar Ministisë së Luftës, Vlorë, 7.1.1914 521. HHStA-PA-A, Vj.24-4475.

HHStA-PA-A,Vj. 24-44-4451, Telegram i qeverisë perandorake dhe mbretërore dërguar Gjeneral De Vir, Vjenë 1914

Shqipëria e Re, Nr.89, e enjte 14 maj 1914, f.1-2 524. Shqipëria e Re, Nr.89, e enjte 14 maj 1914, f.3

HHStA-PA-A,Vj. 24-4483, Direktiva për oficerët e vaporëve austro-hungarezë dhe iatlianë, viti 1914

HHStA-PA-A, Vj.Vj.24-41-4182, Telegram i mInistrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë dërguar konsullit Kral në Shkodër, Vjenë 1914

HHStA-PA-A,Vj. 24-4-487

Teki Selenica, ‘Shqipëria më 1937’, f.37.

Teki Selenica, ‘Shqipëria më 1937’, f, 37. Gazmend Shpuza, “Kryengritja fshatare e Shqipërisë së Mesme”, Tiranë, 1986, f. 120-122. Letër e Majorit Kroon, Simon Dodës, 1 qerdhor 1914, Leka, Nr. I vetëm 1942, f.209/Memorie

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës