VLORË – Një depo armësh është zbuluar sot (12 shkurt 2024) në mes të qytetit të Vlorës. Policia sekuestroi minë me telekomandë, 4 automatikë, njërin silenciator, pistoleta dhe qindra fishekë që dyshohet se do të përdoreshin për të kryer ngjarje kriminale. 

Depo ishte e kamufluar në një dyqan rrobash. Report Tv sjell edhe pamjet nga depo, ku dallohen ekspertët e kriminalistikës teksa zbulojnë armët, ndërsa në krah të tyre, mbi tavolinë duken edhe targat. Autoritetet kanë pasur informacion mbi këtë depo dhe ka qenë në vëzhgim deri në momentin e ndërhyrjes sot, 12 shkurt.

Mësohet se ka rënë në pranga Gjergji Dervishaj, 31 vjeçari me precedentë të mëparshëm në fushën e lëndëve narkotike. I riu i njohur me nofkën 'Zoto' rezulton të ketë në posedim depon e armëve të zbuluar në lagjen '10 korriku' ku u ushtruan kontrolle edhe në një banesë pranë dyqanit, që dyshohet se është në pronësi të të arrestuarit. 

Nuk dihet nëse me këto armatime ishte planifikuar ndonjë atentat, apo kjo depo shërbente për shitjen e tyre për llogari të grupeve kriminale. Pas zbulimit të depos së armatimeve, forcat 'Shqiponja' kanë kryer kontrolle mbrëmjen e sotme në automjetet me xhama të zinj. 

Çfarë është zbuluar deri më tani
-1 minë me telekomandë
-4 kallashnikovë (njëri me silenciator)
-1 pistoletë
-1 armë zjarri imituese
-12 krehra armësh
-800 fishekë
-1 jelek antiplumb
-1 peshore elektronike
-Targa automjeti

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:24
Njihej me nofkën ‘Zoto’, kush është 31 vjeçari i arrestuar për depon e armëve në Vlorë (EMRI)

Gjergji Dervishaj është 31 vjeçari i arrestuar ditën e sotme nga policia e Vlorës pasi dyshohet se posedonte arsenalin e armëve ku u zbuluan minë me telekomandë, 4 armë zjarri automatik (njëri prej tyre me silenciator), 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, 1 peshore elektronike dhe 1 palë targa automjeti.

Dervishaj i cili njihjen me nofkën “Zoto” rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve.

Ora 13:49
VIDEO nga depo e armëve në Vlorë, momenti kur ekspertët zbulojnë pistoletat

Policia e Vlorës ka zbuluar një godinë në lagjen ‘10 korriku’, në të cilën ndodhen armë, mina e targa.

Siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv, në një moment dallohet kur ekspertët e kriminalistikës kanë në duar një prej armëve, ndërsa në anë qëndrojnë targat.

Deri më tani raportohet për një person të arrestuar.