Dy persona me inicialet R.N 41 vjeç dhe I.M 54 vjeç janë kapur dhe janë vënë në pranga nga policia teksa po tentonin të trafikonin 21 kg e 500 gr kanabis në kufirin e gjelbër me Greqinë.

Dy burrat janë kapur nga policia në afërsi të fshatit Cerje, Pustec, në kufirin e gjelbër me Greqinë, me dy çanta shpine, brenda të cilave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi të cilën këta shtetas po tentonin ta trafikonin në drejtim të Greqisë.

R. N., 41 vjeç, është banues në fshatin Vithkuq, Korçë dhe I. M., 54 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, i cili ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”

Në këtë mënyrë finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Pusteci”, ndërkohë nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.