Me fjalën shqipe '(N)ga tantë', ja si e emërojnë veten shqiptarët e Ukrainës!

Me fjalën shqipe '(N)ga tantë', ja si e emërojnë veten shqiptarët e Ukrainës!

Alexander Novik duke biseduar shqip me te moshuarit arbëreshë gjatë ekspeditave gjuhësore në Ukrainë

Në çështjen e vetëdijes së shqiptarëve të Ukrainës një rol të veçantë luan etnonimi. Problemi i etnonimit nuk është i thjeshtë për shkak të historisë së ndërlikuar të ardhjes së popullsisë shqiptare nga trojet ballkanike në territorin e ish Perandorisë Ruse.

Në kohën e ekspeditave shkencore në Karakurt (Buxhak, rrethi i Odesës) dhe në fshatrat e Priazovjes (rrethi i Zaporozhejs) janë fiksuar disa etnonime. Regjistrimi i këtyre etnonimeve zbulon një proces të vazhdueshëm të formimit të vetëdijes lokale. Historia e kërkimeve shkencore në fshatrat shqiptare është e gjatë. Historianët, filologët, antropologët, etnografët, etimologët etj. nga institucionet e Sankt Peterburgut dhe Moskës merren me  problemet e ndryshme të gjuhës, historisë dhe kulturës së shqiptarëve të Ukrainës pothuajse një shekull.

Si rezultat i këtyre hulumtimeve janë mbledhur materialet e pasur kushtuar jo në radhë të fundit vetëdijes së këtij grupi të popullsisë shqiptare në jug të Ukrainës së sotme. Është shumë e rëndësishme se të dhënat e ekspeditave të viteve të ndryshme na japin material të konsiderueshëm por edhe jo pa kontradikta në fushën e vetëdijes. Ne kemi të bëjmë me fakte të ekzistencës së disa etnonimeve që mund të konsiderohen si dukuri të caktuara. Analiza e këtyre etnonimeve mund t’na ndihmojë të përcaktojmë etapat kryesore në formimin e vetëdijes lokale të këtij grupi të diasporës shqiptare.

Do të përpiqemi të sqarojmë materialet të cilët kemi në dispozicion. Të gjithë këta materiale janë mbledhur në terren gjatë ekspeditave tona në vitet 1998-2009. Por analiza e këtyre materialeve krahasohet me të dhënat e ekspeditave që janë kryer nga shkencëtarët rusë në kohët e mëparshme (në radhë të parë na duhet të përmendim veprimtarinë shkencore të Nikollaj Derzhavinit, Agnijas Desnickaja, Julias Ivanova, Irinës Voronina, Alvinës Zhugra).    

Së pari, në fshatrat shqiptare të Ukrainës fiksohet etnonimi ga tantë. Ky etnonim është fiksuar që në kohën e migrimit të shqiptarëve në Perandorinë Ruse. Fshati i parë shqiptar Karakurt në Buxhak është themeluar më 1811. Në atë kohë shqiptarët që vinin nga Bullgaria Lindore në Perandorinë Ruse emërtonin veten në këtë mënyrë: ga tantë, do më thënë nga tanët. Kjo dukuri është e njohur ndër popuj të tjerë të botës. (Ai është nga tanët në kundërshtim me të huaj i cili nuk është nga tanët). Kjo kundërvënie ka qenë e rëndësishme në kohën e lashtë por vazhdon të zotërojë  edhe në kohën moderne.

Mund të përfaqësojmë me bindje se ky etnonim përdorej ndër paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës në atë periudhë të gjatë kur ata kanë jetuar në lindje të Bullgarisë pas ikjes nga trojet shqiptare. Mendohet se migrimi i këtij grupi të popullsisë shqiptare nga përendemi i gadishullit Ballkanik në Bullgarinë Lindore ka pasur vend në shekullin XVI si pasojë e sundimit turk. Në Bullgarinë Lindore qeveria osmane nuk ishte aq e rreptë me popullsinë vendase si në trojet shqiptare (ky mendim është shprehur nga disa shkencëtarë, mund të përmendim këtu Agnijën Desnickaja). Prandaj pjesa e popullsisë ka ikur nga rajoni i Korçës në lindje të Bullgarisë.

Mund të supozojmë se shqiptarët e kanë ruajtur etnonimin e tyre gjatë gjithë periudhe të qëndrimit në trojet bullgare dhe me këtë etnonim kanë ardhur në shtetin rus. Ky fakt na tregon që më parë, do më thënë para migrimit në Bullgari, ky grup s’ka pasur ndonjë etnonim tjetër duke ruajtur vetëm emërtimin lokal si pasojë të marrëdhënieve shoqërore.

Etnonimi ga tantë dëshmon për kohën e migrimit të këtij grupi nga trojet shqiptare. Etnonimi shqiptar (shqypëtar) fiksohet për herë të parë nga Uiljam Lik në shekullin XVIII. Ruajtja e etnonimit ga tantë tek shqiptarët e Ukrainës dëshmon që migrimi i tyre nga trojet shqiptare ka pasur vend para përhapjes së etnonimit shqiptar, d.m.th. para shekullit XVIII.

Me çështjen e etnonimit është lidhur ngushtë edhe problemi i lingvonimit. Nuk diskutohet se në çdo diasporë vetëdija etnike varret nga niveli i njohjes së gjuhës amtare. Në fshatrat shqiptare të Ukrainës shqipja flitet deri në ditët tona. Ruajtja e gjuhës ndikon në vetëdijen e popullsisë në mënyrë të fortë. Në vend të lingvonimit shqiptarët e Ukrainës përdoren shprehjen “si neve”, d.m.th. “si ne”.

Kështu fraza “flet shqip” tingëllon në të folmet e tyre “zallahit si neve”. Kjo dëshmon se migrimi i këtij grupi të popullsisë shqiptare nga përendemi i gadishullit Ballkanik ka pasur vend para përhapjes së lingvonimit “shqip, gjuha shqipe”. Ashtu edhe është shumë interesant fakti që në të folmet e shqiptarëve të Buxhakut dhe të Priazovjes folja “shqiptoj” ka kuptimin “kuptoj” (dhe jo “flas qartë, kuptueshëm” si në gjuhën e sotme standarde). Prandaj mund të konstatojmë se e folmja e shqiptarëve të Ukrainës na jep të dhëna jo vetëm për gjendjen gjuhësore në kohë të lashtë por edhe derdh dritë mbi formimin e etnonimit të sotëm të popullit shqiptar.

Së dyti, në fshatrat shqiptare të Ukrainës është fiksuar etnonimi arnaut. Ky etnonim me prejardhje turke kuptohet nuk është autodidakt. Me këtë fjalë turke popujt fqinjë emërtonin shqiptarët në kohën pas sundimit osman. Kjo fjalë ishte mësuar nga shqiptarët që në periudhë të sundimit por nuk mund të përdorej si etnonim (në çdo rast ndër shqiptarët e Ukrainës).

Në qytetin e Odesës pranë Detit të Zi ka dy rrugë: Bolshaja Arnautskaja (Arnautskaja e Madhe) dhe Mallaja Arnautskaja (Arnautskaja e Vogël). Por këta emra janë dëshmi të qëndrimit të popullsisë shqiptare e cila ka shërbyer në ushtrinë ruse në kohën e mbretëreshës Katerina e Madhe (vitet 70-90 të shekullit XVIII). Kjo popullsi s’kishte lidhje me popullsinë fshatare që vinte në rrethin e Odesës nga rajonet lindore të Bullgarisë në kohë më të vonshme.

Etnonimi arnaut u përhap ndër shqiptarët e Ukrainës vetëm në gjysmën e parë të shekullit XX. Kjo ndodhi pas ekspeditave të shkencëtarit rus Nikollaj Derzhavin. Ai merrej me studimin e fshatrave bullgare në jug të Ukrainës dhe rastësisht erdhi në fshat në të cilin njerëzit flisnin “si neve”. Pas kësaj N. Derzhavini ka botuar disa artikuj me vlerë shkencore jashtëzakonisht të  madhe.  Pas ekspeditave të tij në këto troje interesi ndaj shqiptarëve të Ukrainës nuk shuhej më në mjedisin shkencor. Në atë kohë, d.m.th. në vitet 20-30 të shekullit XX, u përhap edhe lingvonimi arnautçe. Megjithatë midis shqiptarëve të Ukrainës vazhdonte të përdorej më shpesh etnonimi ga tantë, i cili nuk zëvendësohej me variantin e ri të etnonimit në mjedisin popullor.

Së treti, ndër shqiptarët e Ukrainës u përhap etnonimi allbanec. Ky etnonim hyri në të folmet e Buxhakut dhe të Priazovjes nën ndikimin e rusishtes. Ky fenomen gjuhësor fiksohet pas luftës së dytë botërore. Këtu mund të bazohemi në hulumtimet e Julias Ivanova e cila ka punuar në terren duke filluar nga viti 1948. Kjo etnografe e njohur ka studiuar problemet e kulturës shqiptare në Ukrainë për periudhë të gjatë, më shumë se sa gjysmë shekulli. Sipas të dhënave të saj shqiptarët e Ukrainës fillonin ta përdornin etnonimin allbanec vetëm nga fillimi i viteve 50 të shekullit të kaluar. Por me këtë etnonim në të folmet shqipe nuk hyri lingvonimi allbanska gluha ose diçka e ngjashme. Si lingvonim mbeti “si neve”.

Vitet e fundit në fshatrat shqiptare të Ukrainës organizohen ekspedita shkencore të cilat kanë qëllim të mbledhin materialet në fushën e linguistikës, të etnografisë, të folklorit etj. Gjatë studimeve në terren ne fiksojmë tani pothuajse vetëm një variant të etnonimit – ga tantë. Ky variant është më i vjetër dhe përdoret më shpesh. Shumë rrallë informantët e ekspeditave tona përdoren fjalën arnaut. Dhe ky variant nuk përdoret ndër shqiptarë të Ukrainës por vetëm në biseda me të huaj për ta shpjeguar identitetin e tyre.

Fjala allbanec si etnonim nuk përdoret më ndër shqiptarë por mund të takohet si huazim në bisedë të lirë.

Incizimet e bisedave me informantët shqipfolëse na japin mundësi të supozojmë se çështja e etnonimit është lidhur ngushtë me problemin e vetëdijes dhe me ruajtjen e identitetit etnik në kushtet e regjionit polietnik si në Buxhak ashtu edhe në Priazovje. Shqiptarët jetojnë në jug të Ukrainës bashkë me bullgarët, gagauzët, rusët dhe ukrainasit. Ruajtja e etnonimit me të cilin ky grup diaspore shqiptare ka ardhur në Bullgarinë Lindore dhe më vonë në Perandorinë Ruse është një fenomen mjaft i ndërlikuar po aq edhe tregues në identitetin etnik shqiptar. 

*Aleksandër Novik është albanolog rus, që ka bërë dhjetëra ekspedita kërkimore dhe studime për gjuhën dhe trashëgiminë e shqiptarëve të Ukrainës. DH.H.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • artur: 30/10/2019 10:49

    Interesante te kutosh qe ka dhe shqiptare te vullnetshem per te cilet identiteti shqiptar eshte i rendesishem. Jam kurioz te mesoj me teper per keta bashkeadhetare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Rijetëzimi i zonës së Zdrales, nis restaurimi i fasadave të banesave

Shkodër/ Rijetëzimi i zonës së Zdrales, nis restaurimi i fasadave të banesave