TIRANË- Nga Tirana, presidentja sllovene, Nataša Pirc Musar shprehu mbështetjen për rrugëtimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian. Musar thotë se ka bindjen se Shqipëria do jetë gati për integrimin në union deri në vitin 2030, duke thënë se nuk është e pamundur dhe vlerësoi punën e bërë për realizimin e reformave.
“Në fokusin e 2 viteve të parë në këtë detyrë e kam vendosur të jetë në BP. Sllovenia beson se vendi i BP është në BE. E kënaqur me fjalët e Michel në Bled vitin e kaluar se BE do duhej të pranonte deri 2030 shtetet e këtij rajoni. Për Shqipërinë kjo nuk është e pamundur, kur lexoj rezultat e shtetit tuaj jam tepër e kënaqur”, tha ajo në konferencë me presidentin Begaj.
Objektivi për integrimin në 2030 është i realizueshëm edhe në optikën e presidentit Bajram Begaj. Por më e rëndësishme se data, kreu i shtetit tha se është realizmi i reformave. Një falënderim e kishte për Slloveninë për mbështetjen që ka dhënë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Objektivi 2030 për tu futur në BE është e rëndësishme, por nuk është aq e rëndësishme data se sa është e rëndësishme ëndrra. Ju e dini që Shqipëria ka kaluar me sukses kapitujt e parë të negocimit. Kjo është e lidhur me vendet e Bashkimit Europian. Për Shqipërinë është jetike anëtarësimi, dhe për BE integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor duhet të jetë strategjik. Detyra jonë është të bëjmë mirë reformat. Është një objektiv që mund të arrihet në 2030, mund të arrihet edhe më shpejt”, tha Begaj.
Presidentja sllovene vlerësoi punën e SPAK dhe luftën ndaj korrupsionit.
“E kënaqur me luftën ndaj korrupsionit. SPAK ka një besim të çmuar, shpesh them se asnjë shtet nuk është imun ndaj korrupsionit dhe krimit. As shteti im nuk është i tillë. Besoj që një rrugë e tillë është e njëjtë”, tha Nataša Pirc Musar.
Përshtypjet e mira nuk munguan nga presidentja sllovene edhe për sektorin e turizmit, nisur edhe nga një vizitë që vetë ajo ka bërë dje në plazhet turistike të Shqipërisë.
"Më kënaq përparimi i Shqipërisë në rrugën e turizmit. U kam thënë se si e kam ndjerë vetën dje në plazhet turistike. Sivjet do të jetë 14-16 milionë turistë. Jam e gëzuar që sllovenë vijnë çdo ditë më shumë, vitin e kaluar 20 mijë", tha presidentja sllovene.
Sa i takon sektorit të turizmit, Begaj tha se një linjë ajrore direkte mes Lubjanës dhe Tiranës do të rriste numrin e turistëve sllovenë, ndërsa ftoi investitorët sllovenë të investojnë në vendin tonë.
“Shqipëria mirëpret investitorët sllovenë, ftoj sipërmarrësit sllovenë të vijnë Shqipëri dhe të investojnë në sektorin e turizmit, financës bujqësisë. Një linjë ajrore direkte mes Lubjanës dhe Tiranës do ishte diçka e mirë edhe për turizmin. Sllovenët mund të shijojnë më tepër bukuritë malore dhe bregdetare të Shqipërisë”, u shpreh Begaj.
Presidentja sllovene u prit me ceremoni nga presidenti Begaj, ndërsa në orën 14:00 Kuvendi do mbajë një seancë të posaçme.
Presidentja sllovene, Nataša Pirc Musar në një konferencë me presidentin Bajram Begaj foli edhe për rezolutën për Srebrenicën që pritet të votohet në OKB pasditen e sotme. Presidentja sllovene tha se është e kënaqur që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, i janë bashkuar kësaj rezolute.
Ndërkohë, Nataša Pirc Musar thotë se udhëheqësit duhet të gjejnë një zgjidhje për luftën në Gaza e Ukrainë, pasi janë civilët ata që vuajnë pasojat.
Para votimit për Srebrenicë, jam shumë e kënaqur që të gjitha shtete e BP janë bashkuar, përpos Serbisë. Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa të rëndësishme janë këto rezoluta edhe për shkak të konflikteve. Lufta në Gaza më thyen zemrën dhe shpesh nuk më lë të fle. Ne duhet të flasim se çfarë është e drejtë dhe ca jo. Nuk dyshoj se udhëheqësit shtetërorë do gjejnë zgjidhje, pasi shpesh harrojmë civilët që e pësojnë më së shumti në këto luftëra, Ukrainë, Gaza, Sudan”, tha ajo.