5 persona të identifikuara nga policia akuzohen si autorë të të paktën 7 vjedhjeve të dokumentuara të disa banesave në Tiranë. Vjedhjet kryheshin në mes të ditës, pa u fshehur, pa maska dhe në kohën kur pronarët e shtëpive ishin larguar për pushime. Hajdutët, mes tyre dhe një grua, pasi siguroheshin se pronarët nuk ndodheshin aty, vidhnin banesat, kryesisht kasaforta, bizhuteri, para dhe sende me vlerë.

Nga operacioni i koduar "Sezoni", policia ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë për 7 vjedhje të kryera dhe të dokumentuara nga organet hetuese deri tani.

Në pranga përfunduan Etem Murataj, 35 vjeç, Smajl Shkemza, 28 vjeç dhe Dorian Basho, 32 vjeç, të tre banues në Durrës si dhe u shpallën në kërkim shtetasit: A. R., 45 vjeç dhe V. O., 33 vjeçe. Të pestë personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin vidhnin në banesa të ndryshme në qarkun e Tiranës.

Ky grup ka qenë mjaft i organizuar pasi gjatë kohës së vjedhjeve ata përdorini pajisje për bllokimin e valëve telefonike, që në rast denoncimi nga banorët, telefonat të mos punonin. Disa nga vjedhjet janë zbuluar nga kamerat e sigurisë.

Nga hetimet disamujore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të vjedhjeve të kasafortave, sendeve me vlerë dhe shumave të parave në disa banesa, konkretisht:

-Më datë 06.09.2020, në rrugën “Nikolla Tupe”, kanë vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë brenda së cilës ka pasur disa dokumente personale dhe një shumë rreth 10000 euro, në banesën e shtetasit E. A., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale.

- Më datë 12.08.2019, në rrugën “Skënder Luarasi”, kanë vjedhur një kasafortë brenda së cilës ka pasur një sasi lekësh te konsiderueshme parash, në banesën e shtetasit S. P., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale.

- Më datë 20.07.2020, në rrugën “Ramiz Kovaçi”, kanë vjedhur shumën 7000 euro, në banesën e shtetasit F. Ç.

- Më datë 30.08.2020, në rrugën “Pjeter Bogdani”, kanë vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë brenda së cilës ka pasur disa dokumente pronësie, sende me vlerë dhe shumën e parave rreth 1160 dollarë dhe 270.000 lekë, në banesën e shtetasit E. S., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale.

- Më datë 24.08.2020, në rrugën “Marko Boçari”, kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetasit A. K. Ky shtetas ishte larguar për dy muaj me pushime sezonale dhe kur është kthyer ka konstatuar vjedhjen.

- Më datë 29.08.2020, në rrugën “Zef Jubani”, kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetasit A. Sh. Ky shtetas ishte larguar bashkë me familjen për pushime sezonale dhe kur është kthyer, ka konstatuar vjedhjen.

- Më datë 06.02.2020, në rrugën “Njazi Demi” ” kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetases E. D.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete, shuma prej 10.000 euro dhe një pajisje për bllokimin e valëve.

Vijon puna kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.