Me lule në duar,Rama e familjarët
kujtojnë 4 të vrarët e 21 janarit/VD

Me lule në duar,Rama e familjarët<br />kujtojnë 4 të vrarët e 21 janarit/VD<br /><br>
TIRANE - Me lot në sy dhe lule në duar, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga familjarë të viktimave të 21 janarit si dhe anëtarë kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në vendin ku u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. 

Pas pritjes në selinë e Këshilli të Ministrave, Rama dhe familjarët ecën përgjatë Bulevardit, teksa në duar mbanin lule iu drejtuan vendit ku u vranë protestuesit. Kryeministri u përkul në shenjë nderimi dhe respekti për katër të vrarët, ndërsa përshëndeti dhe përqafoi familjarët e Hekuranit, Ziverit, Aleksit dhe Faikut. 

[gallery]25373[/gallery]

Ndërsa gjatë pritjes në kryeministri, Rama u zotua se drejtësia për 21 janarin do vihet përmes zbatimit të Reformës në drejtësi. "Reforma në Drejtësi ka kaluar. Ethet e frikës nga ndëshkimi i kanë kapur”.  

 

Edhe familjarët e viktimave kërkuan drejtësi, ndërsa theksuan se dëmshpërblimet nuk mjaftojnë. Te Reforma në Drejtësi beson edhe Ana Veizi, vajza e Ziverit, që sot është maturante dhe dëshiron që një ditë të bëhet gjyqtare. “Me sa kam parë ende nuk është vendosur drejtësi. Megjithatë, unë vazhdoj të kem besim. Tani që është miratuar Reforma në Drejtësi kam një shpresë më shumë për të arritur qëllimin tonë. Dëmshpërblimet nuk mjaftojnë, sepse ato dhe drejtësia janë anë të ndryshme. Mund të jetë një hap drejt drejtësisë, por jo drejtësia që ne presim”, tha Ana Veizi.

 

Në dhjetor, qeveria u akordoi 970 mijë euro shtesë familjeve të 4 viktimave. Ky është dëmshpërblimi i dytë pas atij të 18 janarit të vitit të kaluar, që e çoi shifrën në një total mbi 2 milionë euro. Qeveria argumentoi se detyrimi për dëmshpërblim rrjedh nga vendimet e Gjykatës së Tiranës. Gjykata ka vlerësuar se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe ka dënuar ish-komandantin e Gardës, Andrea Prendi, me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Ajo që nuk u përcaktua dot ishte arma nga u qëllua plumbi që kapi Aleks Nikën, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar. Gjatë kohës që ishte në opozitë, Partia Socialiste e quajti vrasjen e protestuesve një krim shtetëror, duke akuzuar drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin kryesor, e madje duke premtuar dhënien e drejtësisë.

Me këtë këst të dytë dëmshpërblimi dhe 2.1 milionë euro në total, socialistët i kanë vënë premtimit të tyre për drejtësi një çmim financiar prej 525 mijë euro për çdo të vrarë nga Garda e Republikës. Por, xhaxhai i njërit prej viktimave, Aleks Nika, pret një rihapje të procesit.

Të premten e 21 janarit 2011, kur protesta e opozitës po mbyllej, katër protestues u vranë nga Garda e Republikës jashtë rrethimit të Kryeministrisë, pas më herët kishte pasur një konfrontim me sende të forta me forcat e rendit dhe Gardën. Familjarët kërkojnë drejtësi, apel të cilin ata e përsëritën edhe sot duke pasur shpresë se drejtësia e re do bëjë drejtësi për katër të vrarët. 

VIDEO/Homazhet ne Bulevardin Deshmoret e Kombit ne nder te viktimave te 21 Janarit

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane