TIRANE- Lidhin bashkëshortët dhe pas shumë presionesh dhe kërkimesh kanë grabitur 5 mijë euro dhe 800 mijë lekë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Berisha”, në Kamëz mbrëmjen e dy ditëve më parë. Agron Kosiqi së bashku me të shoqen për afro 10 minuta janë kërcënuar me armë, u janë lidhur nga duart, u janë zënë sytë, janë goditur dhe janë gjakosur derisa 4 grabitës me maska kanë gjetur dhe marrë kursimet e familjes Kosiqi. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Berisha” në Kamëz, mbrëmjen e të martës rreth orës 23:30 minuta.

Burime policia kanë bërë të ditur se, personat kanë qenë të maskuar dhe me armë në dorë, ndërsa familjarët nuk i kanë dalluar ndonjë shenjë të veçantë. Çifti Kosiqi, pasi ishin lidhur duart dhe sytë, janë dërguar në dhoma të veçanta dhe gruas mësohet se i ishte bërë presion për të treguar vendin ku ishin fshehur paratë. Katër autorët janë larguar me shpejtësi pas ngjarjes, ndërsa maskimi i tyre perfekt ka bërë të mos lënë thuajse asnjë provë në vendngjarje. Sipas kryefamiljarit, Agron Kosiqi, në shtëpi në orët e vona kanë hyrë katër grabitësit. “Ata ishin të maskuar dhe pistoletat Zastava i mbanin me dy duar. Na goditën sapo hynë në banesë, autorët më futën gishtat në sy, lanë shtëpinë me gjakun tonë, na lidhën duart dhe sytë”, ka treguar kryefamiljari.

Sipas tij, “gruan e çuan në katin e dytë për lekët. Na morën paratë, unazat dhe orët”. Edhe kur komunikonin me dy bashkëshortët Kosiqi, flitnin nëpër dhëmbë më shumë me klithma sesa me fjalë për të shmangur faktin se mund të zbulohej dialekti i tyre, ka thënë gjatë dëshmisë së tij të dhënë për policinë kryefamiljari Agron Kosiqi. Pasi grabitësit janë larguar, është njoftuar edhe policia dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e komisariatit numër 5. Policia e cila ka mbërritur në vendngjarje pas sinjalizimit ka shoqëruar disa kontigjentë me tendencën kryerjen e të tilla ngarjeve kriminale, banorë të zonës. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)