Një pyetësor mbi depresionin tek të rriturit është tërhequr nga kopshtet publike të Vlorës pas reagimit të prindërve të cilët të shqetësuar thanë se u kanë kërkuar të përgjigjen për tema delikate siç është vetëvrasja. Pyetësori është hartuar dhe shpërndarë në kopshte nga fakulteti i Shëndetit në Universitetin e Vlorës me qëllim përgatitjen e një studimi mbi depresionin. 

“Ne si fakultet kemi dashur të testojmë ose të mbledhim informacion mbi disa të dhëna dhe faktorë që mund të ndikojnë zhvillimin psikomotor të fëmijëve. Pyetësori është vullnetar, plotësohet me dëshirë nga të rriturit, jo nga fëmijët për të vlerësuar ambientin psiko-social ku rritet fëmija”, tha për Report TV, Aurela Saliaj  dekane e fakultetit të Shëndetit Publik.

Pyetjet që u adresoheshin prindërve kanë të bëjnë me problemet e shëndetit mendor, ku ndër to renditen: “A ndjehesh keq me veten, a je i zhgënjyer, ai ke vështirësi në përqendron dhe a mendon se do ishe më mirë i vdekur, ose se mund të dëmtosh veten në ndonjë lloj mënyre”.

Dekania e fakultetit, Aurela Saliaj, njëherazi drejtuese e projektit tha se pyetjet  janë bazuar në modulet e organizatave ndërkombëtare.

“Pyetësori ‘PHQ 9’ është i standardizuar nga OSHB-ja dhe i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë për tu përdorur edhe në check-up e popullatës. Për mua është niveli më i mirë për të zbuluar problemet e fëmijëve”.

Saliaj tha se pyetësori mund të plotësohej vetëm me dëshirën e prindërve dhe nuk ishte i detyrueshëm. Por pas reagimit në rrjetet sociale dhe media, Bashkia e Vlorës e cila ishte palë në projekt, pasi kishte nënshkruar marrëveshje me Universitetin, është tërhequr duke urdhëruar pezullimin e anketimit në kopshtet publike.

“Ky projekt ishte planifikuar në 43 kopshtet e Bashkisë së Vlorës, nuk është bërë i plotë sepse pas keqinterpretimit në publik, ata (bashkia) tani duan kohën e duhur për të marrë një vendim për vazhdimësinë”, përfundoi Saliaj.