Refreni më qesharak dhe më i pabesueshëm është kapja e drejtësisë nga Edi Rama dhe pasoja e kësaj kapje: “gjueti shtrigash” ndaj kundërshtarit të vetgrumbulluar si ekip humbjesh me emrin opozitë. E para, që vlen për gjithkënd, që e di mirë se vetëm drejtësinë tashmë nuk mund ta kapi askush, sepse jo se është e pakapshme, por është si një figurë gjeometrike, pa formë, ku elementët e saj pritet të bien nga çasti në çast.
Drejtësia tani është një trup amorf, ndaj do ishte çudia më e madhe dhe aftësia prej gjeniu e Ramës… nëse do mund ta kapte. Na vjen keq me menyrën se si duan të mbrohen shumë të përlyer me poshtërsi, kryesisht politikanë zhulaman, duke na e pohuar pa turp dhe frikë, se kanë humbur pronësinë mbi drejtësinë.
Të gjithë e dimë, se drejtësia dikur ishte një mburoj për ato që e kishin nxjerrë në “rrugë të madhe”, tutorët me pushtet, ku hurin që duhet të hanin e mbanin drejtuar nga ne dhe na përgatisnin huj të ri, e meqë atij të parit ia kishim marrë dorën, do kishim dhembje më të lehta.
Madje bashkë me hurin, rrjepjen dhe zgrrjepjen, na dhanë ndonjëherë edhe ndonjë plumb pas qafe, si për lajmërim për gojëshpellat… të revoltuarit.
Vranë e prenë, vodhën, grabitën, e plaçkitën dhe të nesërmen u gdhinë milioner, mentor, doktor, profesor me tituj dhe as që paguan gjëkundi, por na vunë ne të paguajmë si haraç, kërrbaçin e tyre.
Sot, vërtet shokohesh kur kujton kohën kur drejtësia ishte thjesht një grumbull godinash, hijerënda të mbushur me kasaforta, që duhet të dije kodin për t’i hapur… llojin e monedhës për të marrë drejtësinë që të takonte.
Si guxojnë këto maskarenjë të na tregojnë, se ajo që po shkërmoqet, paska qenë drejtësi, kur hetimi i këtyre strukturave të pahetushme dikur me ligj, zbulon kaosin dhe krimin më të madh ndaj qytetarëve shqiptarë?!
Si guxojnë këta maskarenj, që t’a fyejnë drejtësisinë, duke e përdorur emrin e saj për kuplaran padrejtësi, që krijuan sipas modelit të çdo kuplaraje?!
Seriozisht e kanë, se i hyn në punë kujt ajo kuplara, që kishin ato, kur krijimin e “fytyrës” së drejtësisë së vërtetë e kanë marrë në dorë mjeshtrat ndërkombëtarë?!
Nuk e di se çfarë kanë humbur, por di që Rama nuk ka çfarë kap, se nëse do kishte kapur padrejtësinë, atë tuajën, që akoma vërtitet bulevardeve dhe sokakeve të ish-tutorëve, ju do kishit marrë arratinë.
Keni aq shumë faje dhe krime për të larë, sa vetëm ideja juaj e lindur nga frika, që kudërshtari juaj tashmë është zot i gjithëpushtetshëm, me kohë do t’u kishte detyruar të linit Shqipërinë.
A mund të na thoni, se cilin kundërshtarë politik ka hetuar, gjykuar dhe dënuar “drejtësia e kapur” nga Rama?! Cilat shtriga ka gjuajtur, ato me çizme apo ato me llastiqe, apo ato të hutuarat, apo ato shtrigat e mira të bollikut të partisë?!
Askënd, kur ne presim gjithkënd, që me veshët e sytë tonë, na ka bërë mijëra të zeza. Ndaj gëzoni dhe pak, të tmerruar nga tmerri pa fund që do t’i vijë fundi… nga drejtësia që të kap!
Ju duhet të ishit të gjithë pas hekurave, e nëse drejtësia do bëhet një ditë, do shkoni tek vendi juaj, sepse akuzat e vjedhjes dhe të shitjes së drejtësisë dhe mbulimit të dhjetra veprave tuaja kriminale, tashmë janë të zbardhura me nxirjen nga “bloza” e pasurisë së ushtarëve tuaj, në sistemin “kuplara”.
A sa keq më vjen, që nuk kam mundësi ta kap unë vetëm 24 orë drejtësinë, a e dini çfarë do t’iu bëja?! Do ua mbushja grykën me monedha metalike, që të mos kishit mundësi as të flisnit as të villnit nga tejngopja e makutërisë tuaj!
Mua më duket sikur jeni të mërzitur apo të trembur nga qetësia, sepse ndoshta u duket si qetësia para furtunës!
Deri në momentin, që drejtësinë se kemi ende “ne”, lutem: Ah sikur ta kishte drejtësinë kundërshtari juaj!/Ekskluzive.al