Pas disfatës minimale 0-1 në Shkodër kombëtarja shqiptare e vajzave do të luajë sonte ndeshjen e kthimit në transfertë kundër Uellsit, që vlen për gjysmëfinalet e ‘play-off-it’ të Botërorit 2027. Vajzat kuqezi marrin pjesë për herë të parë në këtë fazë, por nuk duan të ndalen këtu pavarësisht se do të jetë shumë e vështirë për të përmbushur ëndrrën e kualifikimit.

“Ne shpresojmë shumë që të përsërisim atë ndeshje të mirë që bëmë në Shkodër. Është detyrë e jona, është detyrë e vajzave që ta përsërisim atë ndeshje dhe pse mos të shpresojmë. Gjithçka arrihet në futboll,”-u shpreh Armir Grima, trajner i Kombëtares së vajzave.

Vajzat kuqezi do tentojnë ta bëjnë mrekullinë, duke nisur nga ora 20:15, por edhe nëse kualifikohet duhet pritur ende për të mësuar nëse do të jenë apo jo në Botëror. Fituesi i çiftit Uells-Shqipëri do të përballet në finalen e ‘play-off-it’ me fituesin e çiftit Rumani-Norvegji që ndeshjen e parë është fituar 0-2 nga nordiket.