Policia e Kukësit ka arrestuar një 39-vjeçar nga Kosova në pikën kufitare të Morinës, pasi tentoi të kalonte kufirin, teksa në automjetin e tij kishte municion luftarak dhe 4 armë të ftohta.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ka sekuestruar sendet e paligjshme dhe automjetin e 39-vjeçarit.

Ndërkohë materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Njoftimi i Policisë:

DVKM Kukës/Vijojnë kontrollet intensive nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.

Tentoi të kalonte kufirin, me municion luftarak dhe 4 armë të ftohta në automjet, vihet në pranga nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, 39-vjeçari, shtetas kosovar.   

Sekuestrohen sendet e paligjshme dhe automjeti.  

Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, automjetin me drejtues shtetasin M. L.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën 2 karikatorë me fishekë, 2 thika, 1 sëpatë dhe 1 shkop metalik si ai i Policisë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në përfundim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 39 vjeç, banues në Kosovë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.