Më në fund zgjedhje në FRPD
Lulzim Basha i shpall pas 14 vitesh

Më në fund zgjedhje në FRPD<br />Lulzim Basha i shpall pas 14 vitesh
TIRANE- Forumi Rinor i Partisë Demokratike do të hapë garën për zgjedhjen e kryetarit të ri. Kryetari demokrat, Lulzim Basha pritet të nxjerrë këtë javë udhëzimin në bazë të të cilit do të zgjidhet kreu i ri i FRPD. Zgjedhjet e fundit në FRPD datojnë ato të para 14 viteve, kur në krye të tij u zgjodh Sokol Olldashi.

Në 2009-ën, për shkak të tërheqjes së Sokol Olldashit, FRPD nuk zhvilloi zgjedhjet për zëvendësimin e tij. Por, lideri i atëhershëm i PD, Sali Berisha komandoi në këtë detyrë Gerti Bogdanin, i cili më parë kishte ushtruar detyrën e zëdhënësit të PD, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009-ë, u zgjodh edhe deputet në Qarkun e Tiranës.
 
Udhëzimi 
Kryetari i PD, Lulzim Basha pritet të shpallë zyrtarisht udhëzimin për të çelë garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të FRPDSH. Udhëzimi i Bashës do të përcaktojë kriteret dhe rrugën që do ndiqet deri në mbajtjen e Kuvendit të FRPD. Deri më tani Forumi ka patur si drejtues të komanduar të tij, deputetin demokrat Gerti Bogdani.

Por prej 1 viti, ky i fundit është tërhequr nga drejtimi i FRPD, duke ia kaluar kompetencat nënkryetares Greta Koçi, e cila mësohet se do të jetë edhe një nga kandidatët potencialë në garën që pritet të çelet brenda pak ditësh. Vetë kryetari Basha e ka përcaktuar FRPD-në si një nga shtyllat e forta mbështetëse, për aksionet e ardhshme politike të opozitës në përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare.   
 
Zgjedhjet 
Zgjedhjet e reja për kryetarin e FRPD janë cilësuar edhe si vazhdimësi e hapjes së PD, dy vjet pas mbajtjes së Kuvendit kombëtar të PD, ku u zgjodh edhe lidershipi i ri demokrat. Zgjedhjet për FRPD-në përkojnë në të njëjtën kohë me analizën që po përmbyllet në çdo strukturë dhe degë të demokratëve për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Një vëmendje e veçantë në këtë moment do t’i kushtojë pikërisht të rinjve, anëtarëve të FRPD, të cilët jo pak herë vitet e fundit, kanë shprehur pakënaqësi ndaj lidershipit demokrat, për anashkalim dhe mungesë vëmendje ndaj FRPD, ndryshe nga sa bëjnë partitë rivale PS dhe LSI. 
 
Kandidatët
Në kushtet kur Gerti Bogdani është tërhequr nga FRPD dhe ka vendosur t’i përkushtohet PD-së, zëvendësja e tij në FRPD, Greta Koçi është një nga kandidatët zyrtarë në garë. Gjithashtu, një tjetër kandidaturë potenciale për kreun e ri të FRPD, është edhe kreu i Departamentit për të Përndjekurit Politikë dhe Pronarët, Belind Këlliçi i cili njihet edhe si një nga njerëzit më të besuar të kryetarit Basha. Garës për FRPD-në pritet t’i bashkohet edhe një prej aktivistëve të njohur të Forumit, me kontribut disavjeçar në të, Lisandër Hoxha. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool