Zyrtarisht Klubi i Futbollit LuftëtariGjirokastër nuk figuron më as me letra, duke u shkrirë. Pas afro pesë vitesh nga mungesa e aktivitetit dhe problemeve pas dënimit nga FIFA, historia 100-vjeçare e bluzinjve është mbyllur, por jo kujtimet dhe emocionet që tifozët bluzinj kanë përjetuar në qytetin e gurtë dhe jo vetëm.

Të krijuar fillimisht në vitin 1926 me emrin Shqiponja, gjirokastritët u konturuan më tej në vitin 1929 duke marrë pamjen e një klubi që në breza ka nxjerrë emra si Theodhori Kalluci, Sefedin Braho, Lefter Millo, Arjan Xhumba, Arjan Bellaj, Altin Haxhi, Astrit Boni dhe Gjergji Kalluci etj.

Në mbledhjen e fundit të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Gjirokastër (26 janar 2026), me 9 vota pro, 0 kundër dhe po aq abstenime, u votua përjashtimi zyrtar i KF Luftëtarit nga kjo Shoqatë.

"Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e SHRF Gjirokastër, me 9 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime, vendosi të përjashtojë Klubin e Futbollit Luftëtari SH.A nga anëtarësia për arsye të mbylljes së aktivitetit", bëhet me dije në vendimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të SHRF Gjirokastër.

Prej vitit 2021, pas dënimit nga FIFA për shkak të borxheve ndaj ish-zyrtarëve, KF Luftëtari nuk mori pjesë në aktivitet. Bashkia e Gjirokastrës, si pronarja e klubit 'shkriu' ekipin me letra dhe krijoi një klub të ri që përfaqëson qytetin, Akademia e Futbollit Luftëtari (AF Luftëtari), që aktualisht merr pjesë në Kategorinë e Parë të futbollit në vend.