Këngëtarja e njohur nga Kosova, Adelina Ismaili, ka rrëfyer disa momente nga jeta e saj, rrugën e saj të karrierës artistike, por gjithashtu edhe atë të politikes.
Ajo rrëfen se i përgjoheshin bisedat me nënën e saj madje ka marr edhe kërcënime.
Adelina Ismaili, në podkastin “Zë me Mirën”, shprehet se kënga që ajo i kushtoi Rugovës ishte shkaku i sulmeve ndaj saj. Këngëtarja deklaroi se sulmet vinin nga gazetaria, politika dhe biznesi, ky i fundit sipas saj e priste “nën thika”.
“Unë kisha aq shumë sulme, nuk bëhej më fjalë as për bullëzim, kishte kapërcyer edhe kufinjtë njerëzorë. Unë isha e sulmuar nga një aparat i tërë. Isha e sulmuar çdo ditë. Atëhere kishim Gazeta nuk kishim portale si sot. Në gazetat më të mëdha e më të shitura në Kosovë. Në baza ditore unë isha e sulmuar nga televizioni publik në Kosovë. Kjo ndodhi sepse unë isha e reshtuar në një vijë politike dhe nuk e kam fshehur kurrë sepse i kam kushtuar këngë, krahas Ibrahim Rugovës që ishte një figurë e madhe, tashmë një figurë historike. I kam kushtuar këngë sepse e doja.
Aq sa merrja vesh unë, një vajzë 15 vjeçare nga politika, domethënë asgjë, unë i kushtova atij një këngë. Ajo këngë u bë preteks për sulme çdo ditë. Sulme nga gazetaria kosovare, sulme nga figura të krahut tjetër, sulme nga politikanë. Për “shou-biznes” mos të flasim se ata më prisnin nën thika, ata vetëm lëpiheshin.”, tha ajo.
Artistja deklaroi se në një periudhë, çdo bisedë e saj përgjohej në mënyrë ilegale nga posta, e një gjë të tillë ajo e mori vesh nga një djalë që punonte aty. Një bisedë tepër normale e zhvilluar mes saj dhe nënës së saj, arriti të bëhej faqe e pare në një gazetë në Kosovë, titulli i së cilës përveçse u politizua, gjithashtu u banalizua. Kjo bëri që këngëtarja mos të frekuentonte shkollën për të paktën 3 muaj, e të qëndronte e mbyllur në dhomën e saj, rrezet e diellit ku nuk mbërritën brenda për shkak të perdeve të mbyllura.
“Nuk ishin të lehta. Të them të drejtën, ishte një moment kur po përgjoheshin bisedat e mia e të mamit në postë ilegalisht. Këtë ma ka treguar një djalë që punonte në postë, edhe ma ka treguar me premtimin, se nuk donte ta pesonte, me premtimin se nuk do e tregonte kurrë. Tashmë ka kaluar ajo kohë edhe mund të flasim, edhe ai më tregoi se po përgjoheshin bisedat ditë e natë.
Ishte publikuar në faqen e parë, të një gazete që s’ dua ta përmend emrin por ishte më e shitura në Kosovë, tashmë një nga portalet më të mëdha në Kosovë, një bisedë shumë intime mes meje dhe mamit. Nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme në bisedë por e rrotulluan, e ç’ rrotulluan titullin, e pas asaj nuk dola nga shtëpia për 3 muaj, as në shkollë nuk shkova sepse ishte shumë vulgare, shumë banale. U banalizua.
Nënë e bijë po flisnim për një cikël femëror, titulli ishte “A po përgjaket filan partie nga Adelina Ismaili”, diçka e tillë, domethënë totalisht vulgare, jashtë normales, jo njerëzore dhe pas asaj, unë nuk mund të ikja në shkollë të shikoja profesorët e mi në sy, që më donin shumë. Përveç që u mbylla në shtëpi, u mbylla në dhomë”, tha ajo.
E pyetur nëse ndihej me fat, Adelina u shpreh se ndihej e mbrojtur nga familja e saj, ishte e përkrahur, e kjo ishte e mjaftueshme që ajo të balanconte sulmet kundrejt saj dhe ngritjen e një karriere artistike.
“Unë isha e mbrojtur, nga fakti që familja më përkrahte, e unë isha e mbrojtur. Mua kjo më mjaftonte, por më së shumti e mbroja vet veten sepse kam pasur gjithnjë një aftësi që të hipi në “perspektivën e zogut”, siç i thonë, të shoh gjërat nga lart. Mami e motra i merrnin shumë tragjikisht, ndoshta ishin për t’u marrë, kërcënime, letra kërcënuese, e kështu gjërash.
Ato tre muaj unë shkruaja këngë, kënaqesha. U kënaqa sepse për mua ishte një pushim, por ishte turpi, unë vuaja për shkollën, edhe për shokët e shoqet në shkollë. Por, e shfrytëzova kohën për të shkruar. Mendoj se kam qenë me fat që kam pasur një familje të përparuar, madje dhe gjyshja ime kishte mbaruar shkollën, filloren por mirë, që për Kosovën ishte e rrallë”, u shpreh ajo.