Blutë e Tiranës kanë arrestuar në Tiranë një 27-vjeçar që qarkullonte i armatosur në pistoletë.

Në pranga ka rënë Ervis Spahiu, banues në Domje. Në çantën e tij të dorës, i riu mbante një pistoletë, që u sekuestrua nga policia, së bashku me municionin luftarak.

27-vjeçari u arrestua gjatë kontrolleve në rrugën "Ibrahim Rugova". Bashkë me armën, ju gjetën edhe një shumë parash.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Mesnata”, në kuadër të goditjes së armëmbajtjes pa leje.

Lëvizte i armatosur në rrugën “Ibrahim Rugova”, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari.

Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak dhe një shumë parash.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të kontrolleve intensive të zhvilluara pas mesnatës, me fokus identifikimin e shtetasve që qarkullojnë të armatosur dhe që përbëjnë rrezik për qytetarët dhe rendin publik, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesnata”.

Si rezultat, në rrugën “Ibrahim Rugova” u kap dhe u arrestua shtetasi E. S., 27 vjeç, banues në Domje.

Gjatë kontrollit në çantën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me municion, të cilën e mbante pa leje, si dhe një shumë parash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.