SHKODER - Një 26-vjeçar ka raportuar në polici se i është bërë atentat pak pas mesnate, ku tre persona të paidentifikuar sipas tij kanë qëlluar me armë në drejtim të makinës ku ai udhëtonte.

Sipas denoncimit në polici nga i riu me inicialet B.K me banim në fshatin Oblik të Shkodrës, disa persona kanë qëlluar me armë ndaj makinës që kishte marrë me qera, tip Benz, ku 26-vjeçari nuk ka mbetur i lënduar. Ai thotë se është qëlluar në hyrje të rrugicës për në banesë nga tre persona të cilët nuk ka mundur t'i identifikojë.

Shërbimet e Policisë së Shkodrës kanë shkuar në vendngjarje por pas kontrollit të kryer në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë.

Grupi hetimor po kryen veprimet dhe po punohet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.

Redaksia Online
Gre.M/Shqiptarja.com