FIER- Me 41 këshilltarë të pranishëm në sallë, Këshilli Bashkiak i Fierit votoi për kreun e ri të këshillit, Melsi Bogdani.

Më herët, grupi socialist paraqiti një mocion shkarkimi, duke i kërkuar Antoneta Çunajt të jepte dorëheqjen. Çunaj shmangu votimin për shkarkimin e saj, duke i hapur rrugë procesit për zgjedhjen e kreut të ri të Këshillit Bashkiak. Melsi Bogdani u propozua nga grupi më i madh politik në këshill si pasardhës i saj.

Antoneta Çunaj nuk pranoi zhvillimin e një votimi të fshehtë, por paraqiti dorëheqjen e parevokueshme. Ajo deklaroi gjithashtu se do të vijojë të kontribuojë si këshilltare, në funksion të vendimmarrjeve të drejta për komunitetin.

Pas mbledhjes së Komisionit të Mandateve për verifikimin e kërkesës së këshilltarëve socialistë, vijoi procesi i votimit për kreun e ri të Këshillit Bashkiak. Melsi Bogdani u zgjodh me shumicë kartonash, duke marre dhe mbështetjen e këshilltareve të PD-se. Pati vetëm një votë kundër, ajo e Antoneta Çunajt.

Në fjalën e tij, kryetari i ri i Këshillit Bashkiak, Melsi Bogdani, vlerësoi punën e ish-kryetares dhe u shpreh se këshilli do të hyjë në një tjetër nivel funksionimi.