A është kështu?
Në njërën nga fotot e shpërndara nga faqja e qeverisë, është edhe ajo ku Berisha është bashkë me një djalë të ri, gazetar në një gazetë kritike me qeverinë. Është njëri prej atyre që u dhunuan barbarisht në 21 janar 2011. Asokohe ndodhesha në redaksinë e gazetës “Shekulli” kur ky gazetar, Ened Janina, më merr në telefon. Përmes dhimbjeve kërkonte ndihmë, sepse ishte bërë “pleh” nga forcat speciale të policisë që “spastronin” bulevardin nga “mbeturinat” e demonstratës së opozitës. Falë zotësisë së kolegut nga Kosova që kishte depërtuar në qendrën nën shtetrrethimin e policisë së Berishës, Janina u tërhoq nga zona pas redaksisë “Top Channel” për të mbërritur në redaksi. Hematoma në shpinë dhe kofshë, prej goditjeve të specialëve. Sapo shpjegonte njërin polic se ishte gazetar, vinte tjetri dhe i jepte goditjen e radhës dhe kështu. Një skanim në klinikë tregoi se kishte shembje dhe ai mori trajtim mjekësor. Dy kolegë të tjerë që ishin strukur te “Kullat binjake” shpëtuan vetëm pse kërkuan mbrojtje se ish-shefi i SHISH-it, Fatos Klosi.
Në atë takim dje nuk ishte kolegu tjetër Fatos Mahmutaj, sepse prej më pak se një viti është azilant politik në Belgjikë. Ai u plagos në dorë ndërsa transmetonte “Live” për një televizion dhe mund të mos ishte në këtë botë, si ai tjetri që mori plumbin afër tij në podium, Hekuran Deda, gjaku i të cilit skuqi pllakat e gurta të bulevardit. Ashtu si nuk ishte edhe një gazetar tjetër, po dhe ai i rrahur nga policia.
Dhe nëse nuk u rrahën në 21 janr 2011 ata u rrahën dje dhe rrihen përditë, jo nga policia, por nga stili i sjelljes që Sali Berisha i ka rezervuar medias në Shqipëri prej vitit 2005. Ai të lë të vrasësh veten ngadalë, duke të të falimentuar median, duke të të zhvlerësuar, duke e bërë median nga pushteti i katërt në një vegël të panevojshme, nëse nuk të përdor për interesat e veta.
Ai e do median që të vijë dhe të transmetojë “live” ditë-natë “thagmat” për kopshtin e lulëzuar, Shqipërinë dixhitale, arrorët, boronicat, fiqtë e ullirin. Por nuk e lë median të pyesë se ku përfundojnë paratë e taksapguesve shqiptarë, pse gjithçka në ekonomi luhet në disa duar pro-qeveritarësh, pse në vend është mbjellë kultura e mosndëshkimit, pse askush nga ai deri te pastruesi i WC-ve nuk pyet pse fut duart në xhepat e të tjerëve, pse qeveria e këtij zotërie është aq e pandjeshme ndaj mijëra rasteve të denoncuara për korrupsion flagrant, kur ministrat e “kleptokratit” Nano ishin ku e ku më transparentë dhe më të ndjeshëm ndaj denoncimeve në media. A duhet të ishte dje gjithë ai shend e verë në takimin Media-Berisha? Apo Media ka arritur në atë derexhe sa mezi po pret të jetë vullnetarisht vegla e Berishës, që të ndjehet ndopak komode, edhe pse pa vlerë? Nëse jo, pse duhej dje Media si figurante e show-t të Berishës?