Avion F-16 i Emirateve të Bashkuara Arabe
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë goditur për herë të parë një objektiv në territorin e Iranit që nga nisja e luftës. Lajmi u raportua nga mediat izraelite, të cilat thonë se në shënjestër ishte një impiant iranian për pastrimin e ujit.
Sipas këtyre raportimeve, sulmi shihet më shumë si një sinjal paralajmërues ndaj Teheranit. Megjithatë, nëse sulmet iraniane ndaj Emirateve shtohen, ekziston mundësia që Abu Dhabi të përfshihet në konflikt në mënyrë të kufizuar.
Autoritetet në Emirate thanë se mbrojtja ajrore ka zbuluar 17 raketa balistike iraniane, nga të cilat 16 janë shkatërruar dhe një ka rënë në det. Po ashtu janë identifikuar 117 dronë, ku 113 janë rrëzuar ndërsa 4 kanë rënë në territorin e vendit.
Gjatë fundjavës, televizioni publik izraelit raportoi se kryeministri Benjamin Netanyahu zhvilloi edhe një telefonatë me presidentin e Emirateve, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, pikërisht për sulmet iraniane.
Sipas të dhënave të publikuara nga Abu Dhabi, që nga fillimi i sulmeve iraniane janë identifikuar 238 raketa balistike, nga të cilat 221 janë shkatërruar, 15 kanë rënë në det dhe 2 në territorin e vendit. Janë zbuluar gjithashtu 1.422 dronë iranianë, ku 1.342 janë interceptuar ndërsa 80 kanë rënë në tokë. Autoritetet thonë se janë shkatërruar edhe 8 raketa lundruese.
Sulmet kanë shkaktuar katër viktima dhe 112 të plagosur me lëndime nga të lehta në mesatare. Në mesin e të plagosurve ka qytetarë nga disa vende, përfshirë Emiratet, Egjiptin, Sudanin, Filipinet, Indinë, Pakistanin dhe Turqinë.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve tha se vendi është plotësisht i përgatitur për çdo kërcënim dhe do të reagojë me vendosmëri ndaj çdo sulmi që cenon sigurinë dhe stabilitetin e tij.
Lajmi kryesor:
Lufta/ Djali i Ali Khameneit zgjidhet lideri i ri Suprem! Valë e re sulmesh amerikano-izraelite në Iran! Trump telefonatë me Starmer për përdorimin e bazave ushtarake (VIDEO)












