TIRANË, 25 qershor /ATSH/ - Çështja e statusit kandidat të Shqipërisë është komentuar gjerësisht edhe nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare.
Menjëherë pas mesazhit të komisionerit Evropian Stefan Fule në rrjetin social "twitter", e përditshmja franceze "Le Figaro" publikoi në artikullin e saj "BE akordon statusin kandidat për Shqipërinë" ndërkohë që e përditshmja britanike "Financial Times" shkruan se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta pranojë Shqipërinë si kandidate për anëtarësim, një lëvizje që mund të rrisë antagonizmin e partive populiste euroskeptike, që arritën rezultat pozitiv në zgjedhjet e fundit evropiane.
Ndërsa agjencia italiane e lajmeve "Ansa", duke nxjerrë në pah rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian theksoi se tashmë, topi është në fushën e 28 vendeve anëtare të BE-së.
"Komisioni Evropian i jep një tjetër shtysë Shqipërisë", theksoi agjencia italiane e lajmeve "Ansa" duke shtuar se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE.
"Fjala e fundit u takon 28 shteteve anëtare në takimin e Këshillit Evropian në fund të muajit qershor", shtoi ajo.
"Bashkimi Evropian i dha  Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE", njoftoi dje Stefan Fule, komisioneri evropian për zgjerimin. "Urime Shqipërisë për statusin kandidat të dhënë tashmë", shkruan Stefan Fule në rrjetin social Twitter. "Kjo është një njohje e përpjekjeve për reformat e përmbushura, një inkurajim për të bërë më shumë"
"Pesë vjet nga reformat strukturore, por gjithashtu një vullnet politik për të luftuar kundër korrupsionit apo për më tepër reforma legjislative për të përmirësuar sistemin gjyqësor të vendit si dhe lufta kundër krimit të organizuar janë shenja pozitive për Brukselin'', deklaroi Stephan Fule, anëtar i komisionit evropian.
Në vitin 2009, Shqipëria paraqiti kërkesën zyrtare të anëtarësimit në BE./
/ec/