ATHINË - Mediat greke i kanë kushtuar një rëndësi të madhe fjalimit të kryeministrit Sali Berisha, fjalim, në të cilin ai pranoi humbjen në zgjedhjet e së dielës së shkuar.
 
Sipas analistëve grekë, Sali Berisha është një figurë e rëndësishme historike e komplekse në historinë e Shqipërisë moderne. Sipas agjencive të lajmeve greke, dalja e Berishës, pavarësisht se me vonesë dhe pranimi i humbjes është çlirues dhe i jep fund ankthit dhe frikës për një dorëzim të vështirë të pushtetit në Shqipëri.
 
Sipas agjencisë së lajmeve Zougla.gr, e cila bën edhe një historik të veprimtarisë politike të S. Berishës, tashmë Shqipëria hyn në një periudhe edhe më të vështirë; në atë të administrimit nga kryeministri i ri i fitores dhe premtimeve për një perspektivë europiane në Shqipërisë.
 
Zougla.gr pret një sjellje dinjitoze si nga Berisha, ashtu edhe nga vetë Rama, sjellje e cila duhet të jetë e ndryshme nga ajo e fushatës elektorale, e cila linte shumë për të dëshiruar.
Nga ana tjetër agjencia e lajmeve In.gr komenton deklaratën e Berishës, ku ai dorëhiqet si një vendim historik të një lideri historik të Shqipërisë.
 
Sipas In.gr, largimi nga skena politike e Sali Berishës i çel rrugën e marrjes së Partisë Demokratike, kryebashkiakut të Tiranës, L. Basha, i cili konsiderohet dishepull i Berishës dhe vazhdues i tij besnik, gjë që po të ndodhë, vështirë se do të ndryshojë gjë në PD.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)