Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për procesin e konstituimit të legjislativit, raportojnë mediat në Kosovë.

Në një komunikatë, PDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se ka shkelur afatet kushtetuese dhe ka bllokuar në mënyrë të përsëritur procesin e konstituimit të Kuvendit. Sipas saj, Kuvendi duhej të ishte konstituuar brenda afatit 30-ditor, më së largu deri më 7 gusht, ndërsa edhe afati i dytë, 6 shtatori, nuk është respektuar.

PDK thekson se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit për të ndihmuar përmbylljen e procesit, duke votuar kandidatin e Vetëvendosjes për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa, sipas saj, LVV nuk votoi kandidaten e PDK-së.

Partia kundërshton gjithashtu kushtëzimin e zgjedhjes së nënkryetarëve me votimin për Presidentin e Republikës, duke theksuar se "Kushtetuta nuk është pazar politik". Sipas komunikatës, ekspertët e PDK-së po përgatisin lëndën që do t'i dërgohet Gjykatës Kushtetuese.

"Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit", thuhet në komunikatë.


Lajmi kryesor:

Kuvendi i Kosovës konstituohet pa nënkryetarin e PDK! Partia e Hamzës bojkoton seancën: Kushtetuta nuk është pazar politik