Sot pritet të shpallet një marrëveshje mes Izraelit dhe Libanit, pas katër ditësh negociata të zhvilluara në Uashington.

Lajmi është bërë i ditur nga korrespondenti i Axios në Uashington, Barak Ravid, i cili shkroi në platformën X se zyrtarë izraelitë dhe libanezë i kanë konfirmuar se njoftimi për marrëveshjen mes dy qeverive pritet të bëhet gjatë ditës së sotme.

Edhe media izraelite Ynet, duke cituar zyrtarë të lartë të Izraelit, raportoi se njoftimi për marrëveshjen kuadër me Bejrutin është çështje orësh, megjithëse ende nuk është përcaktuar një kalendar i saktë për hyrjen e saj në fuqi.

Sipas Times of Israel, marrëveshja parashikon që forcat izraelite të tërhiqen nga dy zona brenda zonës tampon prej rreth 10 kilometrash, të krijuar nga ushtria izraelite (IDF) në jug të Libanit.

Burimet bëjnë të ditur se trupat izraelite do të zëvendësohen nga forcat e armatosura libaneze, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes.