TIRANE - Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu duke komentuar humbjen e të djathtës në këto zgjedhje parlamentare, por edhe rezultatin e partisë së tij u shpreh se e djathta ka nevojë të reformohet. “Ne u përpoqëm të ishim të vërtetë, mirë apo keq këtë e gjykuan qytetarët.

Duhet të bëjmë analizë për hendekun e krijuar me qytetarët, duhet më shumë hapësirë për individët brenda së djathtës, ka nevojë për gërshetim më të mirë të marrëdhënieve srtrukturore. Elektorat i djathtë nuk është pronë.

Përderisa bazohemi në konceptin e lirisë duhet ti’ japim mundësi individëve të konkurrojnë dhe më pas fitojnë. Duhet të përcaktojmë më tepër identitetin e qartë të së djathtës, të krijohet morali ynë politik për fitore në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai. Sipas Mediut e djathta duhet të riorganizohet dhe riformatohet.

“PR ka shanset të jetë pjesë e saj. Nuk mjafton një person i fortë por i gjithë ekipi”, vijoi ai. Ndërsa duke folur për forcën politike që përfaqëson, Mediu u shpreh se, “PR ka rritje në raport me 2009, kjo është një gjë pozitive për kontributin e kësaj partie tek e djathta, jemi kontribues nga Tropoja në Tiranë. Mund të them se vota e PR ishte dominonte në qarqe për të ruajtur mandatet e djathta”, tha ai.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)