‘Opozita s’duhet të humbasë asnjë çast, por duhet të bashkohet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në 25 Prill’, ky ishte mesazhi i kreut të PR, Fatmir Mediut nga Elbasani, i cili gjatë një takimi me strukturat, kërkoi angazhimin maksimal të jashtëparlamentarëve për të fituar zgjedhjet parlamentare.

“Zgjedhjet e 25 Prillit kanë një rëndësi kombëtare, sepse përcaktojnë të ardhmen e çdo qytetari shqiptar dhe Kombit, në Europën e Bashkuar. Rama nuk është vendosur thjesht kundër Europës, por kundër shqiptarëve, lirisë dhe interesit tonë si komb që ka vetëm një destinacion, BE. Qeveria e opozitës do të garantojë ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe punësimit, duke mbështetur biznesin me taksa të ulëta”, u shpreh Mediu.

Në takimin me drejtuesit e degëve të Partisë Republikane në qarkun e Elbasanit, Mediu kërkoi përfundimin brenda muajit dhjetor të përcaktimit të kandidaturave të kësaj force politike në të gjithë qarkun dhe njëkohësisht dhe përfundimin e organizimit elektoral në çdo qendër votimi dhe grup qendrash votimi.