TIRANE - Deklaratat që fajsojnë ish-presidentin Berisha për ngritjen e sistemit mashtrues piramidal në Shqipëri gjatë qeverisjes së parë të PD nuk kanë ardhur vetëm nga kundërshtarët politikë të ish-kreut të shtetit të asaj kohe. Herë pas herë s’kanë munguar që të flasin për këtë temë të “nxehtë” dhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi që qeverisi në periudhën 1992-1997 dhe ish-zv.kryeministri Dashamir Shehi.

Të cilët e kanë informuar Berishën për rrezikun e sistemit mashtrues të fajdeve, por që kanë hasur në kundërshtinë e ish-presidentit të asaj kohe, që për efekte ngushtësisht elektorale në atë kohë, s’ndërhyri për bllokimin e tyre. Kështu, pas dështimit të Referendumit për Kushtetutën në nëntor 1994, dhe sidomos më ‘96, qeveria që mbahej nën kontroll nga presidenti i atëhershëm Sali Berisha, nuk arriti të pengonte lulëzimin e firmave piramidale, të cilat zhdukën rreth 1.2 miliardë dollarë kursime të shqiptarëve.

Në një letërkëmbim të gushtit 1996, ish-kryeministri Meksi kishte alarmuar presidentin Berisha, ministrin e Financave Bode dhe Guvernatorin Luniku për pasojat që do të kishte veprimtaria e firmave piramidale, por nuk u mor asnjë masë dhe vendi do të përfundonte në anarki e shkatërrim pranverën e vitit ‘97. “Eshtë bërë një shkresë që në korrik të vitit 1996 ku kam kërkuar mbylljen e menjëhershme të firmave huamarrëse.

Kjo shkresë erdhi pas takimeve të bëra me FMN, Bankën Botërore dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Presidenti nuk i mbyllte dot drejtpërdrejt fajdet, ngaqë me ligjin e miratuar në shkurt të vitit 1996 as qeveria nuk ndërhynte dot në tregun financiar, pasi këtë të drejtë e kishte vetëm Banka e Shqipërisë. Qeveria, SHIK-u i atëhershëm e paralajmëroi Presidentin e asaj kohe, por ai nuk veproi.

Qeveritarët madje as s’mund të flisnin publikisht sepse shkonin të gjithë dhe kërkonin të tërhiqnin paratë, ku shumica s’do arrinin t’i tërhiqnin, pasi asnjë bankë s’mund të likujdojë klientët përnjëherë në një ditë. Po të flisnim do të kishte kaos”, deklaroi ish-kryeministri Meksi në lidhje me firmat piramidale për gazetën tonë kohë më parë dhe duke e konfirmuar sërisht deklarimin e tij.
 
Dashamir Shehi
Por dhe ish-zv.kryeministri dhe ish-ministri i Punës i qeverisë “Meksi 1” Dashamir Shehi është shprehur për gazetën tonë se pavarësisht sukseseve, ajo qeveri gaboi me pronat, privatizimet dhe në veçanti me firmat huamarrëse. Por për të, gabime kishte e Presidenti, Parlamenti e strukturat e tjera që nuk i parandaluan.

“Shfaqja e firmave humarrëse mashtruese piramidale ishte një ndër gabimet e mëdha të asaj kohë. Por nuk ishte një gabim vetëm i qeverisë shqiptare. Kishte gabime nga Banka e Shqipërisë, Parlamenti i asaj kohe e deri tek Presidenti i atëhershëm. Por historia ka treguar se kjo qeveri ka qënë qeveria më e suksesshme deri më tani”, ka deklaruar Shehi për gazetën tonë kohë më parë.

“Pa diskutim që dhe presidenti ka pasur gabime për gjithçka ndodhi me paratë e shqiptarëve në atë kohë. Madje ai ka ndërruar tre kryeprokurorë dhe kryetarë gjykatash, vetëm e vetëm se kishte një problem, që kërkonte të fuste në dorë dhe të dominonte të gjitha institucionet e pavarura, për të futur në dorë drejtësinë. Unë i them gjërat hapur, i kam thënë gjithnjë hapur”, këmbëngul Shehi, i cili gjithsesi tani është aleat i PD, ndërkohë dhe i dalë deputet nga lista shumëemërore e PD për qarkun e Tiranës.
 
 
Bode foli kundër, Berisha i mbylli gojën
Ish-ministri i Financave të qeverisjes së parë të PD, Ritvan Bode, që dhe në qeverisjene dytë prej dy mandatesh të PD mbajti të njëjtin post, atë të kreut të Financave, është shprehur i pari për rrezikun e firmave mashtruese piramidale. Menjëherë pasi u kthye nga SHBA ku kishte zhvilluar takime me përfaqësues të FMN e Bankës Botërore, Bode për një moment harroi se ishte në Shqipëri dhe deklaroi se firmat huamarrëse përbënin rrezik për kursimet e shqiptarëve e vetë shtetin shqiptar. Por pas kësaj deklarate të shkurtër, menjëherë del në media Presidenti i asaj kohe Berisha dhe deklaron se “paratë e shqiptarëve ishin më të pastrat në botë”, duke sjellë tërheqjen dhe heshtjen e ish-ministrit Bode. Ishte kohë zgjedhjesh atëherë dhe Berisha donte fitore me çdo kusht e një mandat të dytë si president qoftë dhe mbi rrënimin e shqiptarëve.
 
Shkrimi u publikua sot (30.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)