Të paktën 5 fluturime të kompanive ajrore amerikane janë anuluar në aeroportin ndërkombëtar të Qytetit të Meksikës për shkak të tymit të dendur, lëshuar nga vullkani Popocatepetl, që gjendet 65 km nga kryeqyteti.
Sipas një zëdhënësi të American Airlines janë anuluar linjat vajtje-ardhje nga Hosuton dhe Los Angeles. Delta Airlines ka vonuar disa fluturime dhe Air Tran ka anuluar një. 

Retë vullkanike konsiderohen si tepër të rrezikshme për avionët civilë, pasi motorët e tyre reaktivë të vendosur në krahë thithin këto mbetje. Aktivizimi i njërit prej vullkaneve më të mëdhenj në Meksikë ka vënë në gjendje gatishmërie autoritetet vendase. 

Situata është në monitorim, ku rreth 50 mijë banorë në rrethinat përreth janë në monitorim të vazhdueshëm. Vullkani Popokatepet, i cili ngritet në 5.450 metra lartësi mbidetare, ka krijuar një shirit prej tre kilometrash prushi dhe hiri. 
Vullkani në fjalë që i kanë vendosur edhe emrin “mali që nxjerr tym” që në vitin 1994 është objekt i aktivizimeve të vogla gati të përditshme.

Redaksia Online
(l.ç./mag/shqiptarja.com)