MEMALIAJ- Arrestohet në flagrancë Bujar Hyseni, 44 vjeç, banues në Memaliaj. Arrestimi i këtij personi u bë, pasi u verifikua nga policia si autori i vjedhjes së një shume parash dhe dokumentesh të 2 turistëve nga Polonia.

Punonjësit e Stacionit të Policisë Memaliaj, pas marrjes së njoftimit se 2 turistëve të huaj u ishin vjedhur nga motorri në parkingun e një lokali në zonën e Krahësit Tepelenë, dokumentet dhe portofoli me një sasi parash, menjëherë nisën punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Pas rreth 1 ore është identifikuar autori, si dhe u ndalua rreth një kilometër e gjysmë larg vendngjarjes, së bashku me lekët dhe dokumentet e vjedhura, të cilat iu kthyen turistëve. Materialet në ngarkim të 44-vjeçarit të arrestuar i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme, proceduriale për veprën penale “Vjedhje”.