/ ATSH/ - U nënshkrua në Bullgari Memorandumi i Mirëkuptimit midis vendeve të Gadishullit Ballkanik, në fushën e sektorit pyjor, si një rajon gjeografik dhe historik i Evropës Juglindore me pasuri të mëdha natyrore dhe larmi të madhe biologjike.
Memorandumi është shprehje e dëshirës së përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e pyjeve, duke e konsideruar shumë të rëndësishëm rolin e sektorit pyjor në zhvillimin ekonomik, në kontekstin e ndryshimeve dinamike të kushteve social- ekonomike në vendet palë, deri në sfidat e të ardhmes të ndikimit në ndryshimet klimatike në nivel global.
Gjatë diskutimeve, mbas prezantimeve që pati çdo vend pjesëmarrës, në takimin e mbajtur në Sofje të Bullgarisë, u vu në pah rëndësia e zbatimit të Memorandumit nga palët nënshkruese, duke e konsideruar si një parakusht për gjetjen e rrugëve më të mira për arritjen e rezultateve efektive në ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve në vendet e rajonit.
Memorandumi, do të shërbejë si një thirrje drejtuar të gjitha qeverive të vendeve pjesëmarrëse për kthimin në prioritet të politikave për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zhvillimin e sektorit pyjor.
Gjithashtu, Memorandumi do të shërbejë jo vetëm për zhvillimin e dialogut të përbashkët, shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencës midis institucioneve përgjegjëse për administrimin e pyjeve të vendeve të rajonit, por edhe në ndërmarrjen e veprimtarive konkrete në funksion të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve.
Për arritjen e objektivave në këtë drejtim, krijohet Forumi "Pyjet e Ballkanit", i cili do të garantojë komunikimin dhe bashkërendimin e veprimtarive në këtë kuadër, midis palëve pjesëmarrëse.
Forumi do të zhvillojë aktivitetin e tij në mbështetje të interesit të shoqërive dhe gjithë aktorëve të përfshirë nga sektori i pyjeve në Gadishullin e Ballkanit.
Pala shqiptare, e cila nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit, shprehu gadishmërinë për bashkëpunim dhe zbatim të tij , në funksion të bashkërendimit të politikave të pyjeve, zbatimin e tyre dhe raportimin në nivel rajonal dhe evropian.