Menopauza, nuk
është fundi i rinisë

Menopauza, nuk<br />është fundi i rinisë
Menopauza është një nga periudhat e rëndësishme të jetës së një gruaje. Ndryshe nga momenti i fillimit të jetës si grua, menopauza nuk festohet si një ngjarje pozitive. Megjithatë menopauza është një proçes natyral biologjik, dhe jo një sëmundje. Megjithëse ajo është e lidhur me ndryshime hormonale, fizike e psikologjike të cilat ndryshojne jetën tuaj, menopauza nuk është fundi i rinisë tuaj. Kërkohet vetëm të përgatitesh për ta kaluar këtë periudhë. Duke marrë informacion rreth ndryshimeve në këtë periudhë, një grua mund të pakësoje çdo keqkuptim apo paqartësi rreth menopauzës.

Fjala “menopauzë” do të thotë mbarimi i menstruacioneve (periodave, zakonave, menseve). Menopauza vjen si rezultat i ndalimit të prodhimit të hormoneve prej vezoreve të gruas. Ndalimi i ketyre hormoneve përveç se shkakton ndalimin e menstruacioneve është shkaktar edhe për një sërë ankesash të ndryshme të femrave në këtë periudhë. Menopauza zakonisht ndodh midis moshës 43-48 vjeç, por kjo mund të ndodhë edhe ne 30 apo 58 vjeç. Thuhet se një grua është në menopauzë kur ka ndalesë të menstruacioneve për 12 muaj.

SHENJAT E MENOPAUZËS

Çdo grua e përjeton menopauzën me shenja të ndryshme, pra në menyrë individuale. Megjithëse menopauza është unike për seicilen grua ashtu siç është secila grua unike, disa pasoja shëndetësore duhet të njihen dhe të vlerësohen nga të gjitha gratë. Një pjesë e mirë e femrave e kalojnë atë me shenja të pakta dhe të lehta. Ndërsa të tjera mund të përjetojnë një numur shenjash fizike e emocionale që mund të perfshijnë:

Perioda të çrregullta- Këto mund të jenë shenjat e para të fillimit të menopauzës. Mund të ndodhë që gradualisht periodat të bëhen më të rralla dhe më të pakta ose edhe të ndalojnë menjëherë. Shenjat paramenstruale janë më të theksuara si, tensionim të gjinjve, dhimbje të tyre, fryrje barku, dhimbje koke etj, të cilat ikin me ardhjen e menstruacioneve.

Ulja e aftesise për të lindur- megjithëse ju mund të keni menstruacione aftesia juaj për të ngelur shtatzanë pakësohet. Por megjithëse ju mund të mos keni perioda për një vit mundësia për të ngelur shtatzanë egziston akoma.

Afshet e nxehta- Këto varen nga një grua tek tjetra, por janë shenja më e shpeshtë që shoqëron menopauzën. Ju mund të skuqeni, në fytyrë, qafë duar, të djersini, të keni rafje të shpeshta të zemrës. Këto mund të zgjatin disa sekonda deri disa minuta dhe mund të ndodhin në çdo kohë ditën apo natën. Ato mund të jenë më të shpeshta natën dhe gjatë streseve. Por ato mund të jenë pjese e jetes suaj për një vit apo me teper ose mund të mos i keni kurrë ato.

Ndryshimet në pamje- shumë gra kanë një shtim në peshë e cila bën të ndryshojë pamja fizike. Shtimi mund të jete 5 kg ose me teper. Kjo vjen si rezultat i pakesimit te metabolizmit bazal-pakësim i konsumit të kalorive, çrregullime të gjumit dhe djersë natën-mund të keni vështirësi për tu zënë gjumi, mund të bëni gjumë sipërfaqësor i cili nuk ju lejon të çllodheni plotësisht dhe të nesërmen të ndiheni të lodhura. Ju gjithashtu, mund të zgjoheni natën papritur të jeni të djersitura dhe të keni të dridhura.

Çrregullime urinare dhe vaginale. Ju mund të keni urinim të shpeshtë, ndonjëherë dhe të ndjeni nevojë urgjente për të urinuar, madje edhe urinim te pavullnetshëm. Këto jane rezultat i dobesimit të muskulaturës së fshikës urinare nga mungesa e estrogjeneve. Mund të ndodhi që të keni  infeksione urinare, dalje jashtë “shkarje” të mitres ose mureve të vaginës. Ndryshime në jetën seksuale-Marrëdhënia seksuale mund të bëhet e dhimbshme si rezultat i tharjes se mukozes se vagines. Per këtë arsye gratë zgjedhin shpesh të mos kryejnë fare marrëdhënie seksuale. Por ka edhe raste kur ka shtim te kënaqesisë seksuale.
 
Ndryshime emocionale- ju mund të jeni të irrituara, të shfaqni ndjenja ankthi, paqëndrueshmëri emocionale, ulje të kujtesës apo të përqëndrimit, marrje mendsh, lodhje të shpejtë, mpirje të duarve, etj. Faktorë të tjerë si fatkeqësi të ndryshme, dalja para kohe në pension, largimi i femijëve nga shtepia, etj i theksojnë këto shenja.

Osteoporoza- në menopauzë humbja e masës kockore theksohet akoma më shumë. Nder 3 gra në menopauzë 1 vuan nga osteoporoza.

VETËKUJDESI NË MENOPAUZË

Eshtë e domosdoshme që në këtë periudhë të beni një kontroll mjekësor si  masë parandaluese apo për të marrë kujdes mjekësor nëse nevoitet. Shumë sëmundje kronike kanë tendence të shfaqen në këtë periudhë. Prandaj është e domosdoshme që të shkoni për nje vizitë mjekësore. Nëse ju kanë ndaluar menstruacionet por akoma nuk jeni të sigurta nëse jeni në menopauzë, ju duhet të konsultoheni me mjekun. Shumë gra në këtë periudhë kanë mbetur shtatzanë dhe e kanë konstatuar me vonesë shtatzaninë sepse kanë menduar se mungesa e menstruacioneve ka qenë rezultat i menopauzës. Për shumë gra ndryshimi i stilit të jetesës mund të jetë mjaft ndihmues. Me një vetkujdes shenjat e menopauzës zbehen dhe kjo periudhë kalon pa shqetësime. Fatmirësisht shumë shenja të lidhura me menopauzën janë të përkohshme dhe shumë herë nuk ka nevojë per trajtim të veçantë por vetëm rregullim të regjimit të jetesës e të ushqyerit.  Ndërmerrni hapat e mëposhtme për të reduktuar shenjat e menopauzës dhe për ta përballuar atë me sa më pak stres:

Rregullo gjumin- nëse ke shqetësime me gjumin shmang kafeinen përpara gjumit. Praktiko teknikat relaksuese si frymëmarrje e thellë, mendo gjëra pozitive, bëj ushtrime relaksuese-Joga

Ha mirë- përdor dietë të balancuar me perime dhe fruta sa më të freskëta. Fillo vaktet me supra e sallata. Pakëso vaktet me mish, përdor mishin jo më shumë se 4 x në javë. Ul përdorimin e yndyrnave dhe të ëmbëlsirave.

Merr kalcium dhe vitaminë D- marrja e rregullt me ushqime e kalçiumit dhe vit D nuk mjafton prandaj duhet të merret në formën e tabletave apo preparateve të tjera farmaceutike. Edhe këto duhet të merren nën këshillat e mjekut.

Mos pi duhan- Pirja e duhanit rrit riskun për sëmundje të zemrës, kancer, dhe një sërë problemesh shëndetësore. Madje pirja e duhanit shpejton menopauzën dhe shton afshet e nxehta. Nuk është asnjëherë vonë të përfitosh nga lënia e duhanit.

Bëj ushtrime rregullisht- bëj të paktën 30 minuta ushtrime në ditë për të shmangur problemet e ndryshme, kardiovaskulare, diabetin, osteoporozen. Ushtrimet gjithashtu janë një mjekim shumë i mirë për stresin. Ecni në ajër të pastër, vallzoni, bëni vrap, aerobi. Alternojini këto me njëra tjetrën.

Mendo pozitivisht dhe kërko mbështetje- Çdo sekondë që ne jetojmë është një moment i ri, një moment që kurrë nuk rikthehet. Për shumë gra menopauza është koha e lirisë prej peridhës të rrezikut të shtatzanisë. Ndaj tani planifiko të gezosh “pjesën tjetër të jetës”. Familja, partneri, miqtë tuaj mund të jenë mbështetje shumë e mirë gjatë menopauzës. Diskuto ndjenjat e shqetësimet e tua se menopauza të prek ty dhe ata. Ndaji ndjenjat me nënën, vajzat e tua ose bashkohu me grupe shoqesh për të shkëmbyer eksperiencat, zgjidhjet. Kërko një klinikë apo organizatë që merret me menopauzën në zonën ku ju banoni.

Bëni skedulin për kontrollet rutinë- bisedo me mjekun se sa shpesh dhe çfarë duhet të kontrolloni në këtë periudhë të jetës suaj. Mjeku mund t’ju rekomandojë një sërë egzaminimesh si: Përcaktimi i yndyrnave në gjak, përcaktimi i sheqernave, Mamografinë, Paptestin, matjen e densitetit kockor, etj, ne vartësi të situatës suaj shendetësore.

Shkrimi u publikua në Suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi