VLORË - Pesë vite pas rikthimit në Superligë, Flamurtari e sheh veten të vuaj në elitën e futbollit shqiptar, me vlonjatët që mbajnë vendin e parafundit në renditje. Së fundmi, sipas shtypit të shkruar klubi kuqezi ka shkarkuar drejtorin sportiv Artim Pollozhani, i emëruar në këtë post verën e kaluar.

Ish-mesfushori 43-vjeçar duket se është quajtur përgjegjës për merkaton e dështuar të verës 2025, duke e paguar me vendin e punës. Tanimë në Vlorë janë duke menduar për pasuesin e Pollozhanit dhe ai është djali i shtëpisë, Arbër Abilaliaj.

Më 4 tetorin e shkuar ky i fundit dha dorëheqjen nga roli i drejtorit sportiv të Partizanit, me klubin e kuq që kaloi një fillim sezoni shumë të vështirë. Tanimë Abilaliaj është gati për t'u ulur në zyrat e klubit të vendlindjes dhe për të marrë në duar merkaton, që për Flamurtarin ka pasur lëvizje vetëm në dalje.

Kjo periudhë përkon me disa lëvizje drejtorësh në klubet e futbollit shqiptar, teksa dje Partizani prezantoi Agim Ibraimin për këtë rol.