Gjatë 6 muajve të ardhshëm futbollisti do të qëndrojë te Luftëtari në formë huazimi, ndërkohë që do të paguhet nga Skënderbeu. Një goditje e madhe në të gjithë aspektet kjo për Skënderbeun që siguron kështu për sezonin e ri një nga sulmuesit më premtues të futbollit shqiptar.
Dejvi Bregu
Korçarët synojnë që të marrin edhe sulmuesin tjetër premtues të Luftëtarit, Dejvi Bregun. Situata e vlonjatit është disi ndryshe edhe pasi kontrata e tij me klubin gjirokastrit skadon në fund të këtij sezoni. Futbollisti vlonjat refuzoi para pak javësh Flamurtarin, edhe pse dy klubet gjetën akordin në parim. Te Luftëtari, ku rrezikojnë ta humbasin pa përfituar asgjë në qershor, kur mbaron edhe kontrata, do të preferonin një rinovim të tijin ose shitjen në merkaton e janarit, por vetë futbollisti duket i bindur për të qëndruar në Gjirokastër.
Më pas, në verë, me parametër zero, rriten edhe shanset për një kontratë shumë më fitimprurëse në aspektin personal, duke patur parasysh se klubi ku do të shkojë nuk do të jetë i detyruar të paguajë për kartonin. Te Skënderbeu, ku e kërkojnë prej kohësh, janë shfaqur të gatshëm për të kënaqur gjithë pretendimet financiare të 22-vjeçarit. Por, duhet pasur kujdes rivalitetin e klubeve të tjera, pasi Bregu prej kohësh ndiqet edhe nga Partizani.
d.b/shqiptraja.com











