PARIS - Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbërriti në Paris ku u prit nga presidenti i Francës, Francois Hollande. Dy liderët europianë do të diskutojnë sot për situatën në lindje të Ukrainës, ku pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit kanë rinisur luftimet.

Merkel dhe Hollande ishin negociatorët kryesorë ndërkombëtarë të armëpushimit dhe vendosën të mbajnë një takim para mbajtjes së samitit të G20-ës, grupit me përfaqësuesit ekonomikë të vendeve më të industrializuara të botës.

Gjatë kësaj jave janë raportuar luftime të shumta ndonëse të dy palët pranuan largimin e trupave ushtarake nga zona. Departamenti amerikan i Shtetit akuzon Rusinë për mosrespektimin e marrëveshjes dhe deklaron se rebelët kanë shkelur armëpushimin më shumë se 250 herë.

Luftimet vijojnë edhe pasi forcat qeveritare janë tërhequr nga qyteti Debaltseve, pikë e rëndësishme strategjike në lidhjen e dy qyteteve, Luhansk dhe Donetsk, të kontrolluara nga rebelët.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)