Merkel piketon Ramën lider
të rajonit, nis turin nga Tirana

Merkel piketon Ramën lider<br />të rajonit, nis turin nga Tirana
TIRANE- Kancelarja gjermane Angela Merkel më 8 korrik mbërrin në Tiranë, nga ku nis turin ballkanik në funksion të mbështetjes së këtyre vendeve për integrimin në BE, por dhe për t’i vënë fre përpjekjes ruse për influencë në këtë rajon. Dhe zgjedhja e Tiranës për ta nisur turin rajonal tregon qartë se ajo ka zgjedhur tashmë dhe pikën e kontaktit e liderin e ri të Ballkanit, që është Edi Rama. Këtë e thonë dhe analistët më të mirë në agjencitë më të fuqishme të Evropës, madje duke vënë dhe bastin politik se Rama është tashmë lider i rajonit. Këtë e shpjegojnë dhe me partneritetin serioz të Shqipërisë, dobësinë e Greqisë dhe lëkundjen e Serbisë.
 
Kancelarja gjermane Angela Merkel bën vizitën e parë në Shqipëri. Është performanca e kryeministrit Rama arsyeja që ajo pasi i ra për vite të tëra kryq e tërthor Ballkanit pa shkelur në Tiranë, e fillon tashmë turin ballkanik pikërisht në Tiranë?
Kancelarja Merkel ka vendosur që ta nisë turin e saj ballkanik nga Shqipëria, duke zbritur në Tiranë pikërisht më 8 korrik. Kjo vizitë e zonjës së hekurt të Evropës do ketë dy dimensione, atë në rrafshin politik e në atë ekonomik. Ardhja e Merkel në Tiranë do shënojë takimin e tretë me kryeministrin Rama pas dy të parëve të mbajtur në Berlin vitin e shkuar. Gjermania që vitet e fundit ka rikthyer vëmendjen nga Ballkani, e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm gjeo-politik në rajon.

Por me sa duhet Gjermania është në kërkim të një lideri për Ballkanin dhe këtë e ka gjetur në Shqipëri, ku kryeministri Edi Rama ka kohë që po e kryen këtë mision. E thotë dhe analisti Partosh, sipas të cilit Merkel, në prag të takimit të tretë brenda vitit me kryeministrin shqiptar është duke kërkuar një lider në rajon.

“Ajo s’ka shumë zgjedhje. Qartësisht Rama potencialisht mund të jetë një prej udhëheqësve. Natyrisht për Gjermaninë e rajonin, Serbia është pa diskutim me rëndësi, është një prej vendeve më të forta, që është parë në citimet ruse me një lloj flirtimi në distancë. Merkel kërkon siguri që Serbia mos të dalë nga rrugëtimi evropian. Vuçiç shihet si një kryeministër pragmatist. Unë nuk do t’i vendosja të gjitha paratë në një bast për Edi Ramën, për atë që ju më pyesni, por natyrisht për Merkel, Rama shihet si një figurë e rëndësishme në rajon, së bashku me Vuçiç”, ka theksuar ai.
 
Shumë analistë politikë mendojnë që Rama u projektua që vitin e kaluar si lider i Ballkanit, teksa organizoi gjithë takimin e 28 gushtit 2014 në Berlin gjë që ngjalli xhelozi...?
Gjithçka nisi me ftesën e vitit të kaluar nga Merkel për takim në Berlin në funksion të një rajoni stabël. Para takimit debati mes shteteve filloi të nxehej, pasi në axhendën e Merkel, ishte parashikuar dhe u realizua që në konferencën për shtyp që u mbajt pas samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor të shoqërohej vetëm me kryeministrin Edi Rama, dhe kjo ka irrituar Beogradin,  shkaktoi zemërimin dhe reagimin e tij, ku kërkohej që Rama të mos fliste në emër të vendeve të Ballkanit. Dhe dy shtete të tjera, Kroacia e Sllovenia, vende që janë edhe anëtare të BE, nuk kane qenë shumë të kënaqura me këtë surprizë të Merkelit.
 
Po pse Merkel ia besoi Ramës organizimin dhe si e shpërbleu...?
Merkel bashkë me Presidentin e KE Barroso, si dhe Edi Rama dolën në një konferencë të përbashkët shtypi në fund të Samitit të Berlinit. Duke qenë se ky Samit ka si synim ri përsëritjen e perspektivës evropiane për gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e procesit të integrimit në BE, duhet se Merkel pa te kryeministri i Shqipërisë partnerin më të besueshëm dhe luajal si lider të Ballkanit të trazuar ndër vite.

Për shkak të interferimit rus në Serbi, por dhe gjendjes së krizës në Greqi dhe orientimit të qeverisë së re greke herë në drejtim të BE e herë në drejtim të Moskës, roli i liderit me sa duket iu besua Edi Ramës dhe këtë e tregon dhe nisja e turit ballkanik të Merkel pikërisht në Tiranë, duke treguar qartë rëndësinë gjeostrategjike të Shqipërisë dhe besimit që ka tek kreu i qeverisë. Ndërkohë që Rama dhe Vuçiç realizuan vizitat respektive në Beograd e Tiranë, duke dëshmuar se përtej deklaratave politike, janë në funksion të qetësimit dhe bashkëpunimit mes tyre të vendeve të Ballkanit.
 
Vizita e Merkel në Ballkan, e nisja e turit pikërisht nga Tirana a mund të shihet si një përpjekje për t’i vënë fre influencës ruse në këtë rajon të trazuar ndër shekuj?
Vizita e Merkel në rajon shihet si një tjetër hap i përkujdesjes së shprehur nga kancelarja për Ballkanin, i cili tradicionalisht në të shkuarën ka qenë pjesë e influencës ruse. Në Konferencën e Berlinit me liderët e rajonit ajo deklaroi se “në terma afatgjatë duam që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE.

Është në interesin tonë të përbashkët ekonomik, politik dhe strategjik”. Ndërsa agjencia e lajmeve Bloomberg shpjegon afrimitetin e Merkel me Ballkanin me faktin se “Gjermanët e kanë trajtuar zbehtas rajonin e Ballkanit pasi trupat naziste pushtuan ish-Jugosllavinë në Luftë e dytë Botërore. Kjo tani ka ndryshuar pasi Merkel dhe Putin kanë dhënë sinjale të një konfrontimi të fortë për Ukrainën me ngjashmëri nga Lufta e Ftohtë”. Ndërsa analisti Florian Bieber thotë se “Evropa nuk e shikon me shqetësim pse investitorë rusë i afrohen Ballkanit. Problemi lidhet me frikën e aplikimit të modelit autoritar rus në rajon, që ne e kemi parë në Maqedoni”.
 
Mund të shihet vizita e Merkel dhe në kuadrin e një kthimi i vizitës së bërë një vit më parë në Berlin nga liderët ballkanas?
Ardhja e Merkel në rajon s’mund të përkufizohet si një kthim i vizitave të liderëve ballkanas në Berlin, por në perspektivën afatgjatë, kjo vizitë merr një rëndësi të veçantë në aspektin gjeopolitik, përfshirë këtu mesazhet që kancelarja do përcjellë në Tiranë e Beograd, vende aspirante për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian. Kancelarja pritet të vizitojë edhe Serbinë, ndërkohë që vizita më 9 korrik në Bosnjë duket se është anuluar.

Takimi në Shqipëri, në rrafshin ekonomik, do jetë një mundësi e mirë për t’i bërë një minibilac arritjeve të deritanishme dhe çuarjen më përpara të angazhimeve që u morën në Konferencën Rajonale të Berlinit gushtin e kaluar. Rama e Merkel në takim do shikojnë dhe mundësinë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Ardhja e Merkel e çon në dy vizitën e një kancelari në vendin tonë, pas asaj të 1999, kur Tiranën e vizitoi kancelari Gerhard Schroeder, 12 vjet pasi u lidhën marrëdhëniet diplomatike midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)