Mero Baze: “Në të shtatat”
e protestës paqësore!

Mero Baze: “Në të shtatat”<br />e protestës paqësore!
E shikoj se ka një irritim popullor me shpërthimin e Lulzim Bashës në çadër sot paradite. I ka irrituar deklarata e tij për luftë, për lëvizje guerrile, për rezistencë trup më trup, dhe gomarllëqet e tjera që tha. Nuk ka vend për kaq irritim. Për panik, jo e jo!

Lulzim Basha e bëri këtë deklaratë “në të shtatat” e protestës paqësore, e cila për hir të së vërtetës nuk i shkonte fare. U mundua disa ditë ta mbivlerësonte atë, por e pa që dita-ditës rezistenca po ftohej.

Disa ditë më pas ndjehet qartë që PD u pendua për atë protestë paqësore dhe filluan të gjithë nga pak, të ngrejnë zërin dhe të kërcënojnë. Basha po ashtu.

Kakofonia e ideve brenda PD u bë e padurueshme. Basha flet që s’ka zgjedhje, Berisha, Topalli, Bregu e Patozi flasin që s’ka bojkot, Paloka thotë që s’ka qetësi, Flamur Noka thotë që s’ka shpëtim, Bylykbashi thotë s’ka “Vetting”, e kështu me radhë. Në këto kushte, Basha thjesht po tenton të bërtasë fort e t’i bëjë të tjerët të mos dëgjohen. Ai kërkon pikërisht që shtypi dhe njerëzit të flasin për të dhe jo për secilin që merr mikrofonin tek çadra. Shumë nga ata, pa dashje thonë gjëra normale, dhe kjo ia prish terezinë.

Është kjo arsyeja që atë e lëshuan nervat, dhe ulëriti “luftë”. Por mos u trembni! Nuk e ka në kuptimin e vërtetë të luftës. E ka me të vetët që po ia bëjnë rrëmujë çadrën. E ka me ata që i thonë si do dalim nga çadra. E ka me ata që i thonë s’ke ku shkon, do hyjmë në zgjedhje. E ka me ata që i thonë takohemi pas zgjedhjeve. Më së paku e ka me kundërshtarët e tij politik.

Në këtë pikë i ngjan pak a shumë asaj skenës së Fevziut në një emision, kur po i ziheshin të ftuarit me njëri -tjetrin dhe ai ulëriti “Pushoniiiii” me shkop në dorë.

Nuk është se është agresiv. Thjesht ndonjëherë të lëshojnë nervat dhe është gjë e mirë që Basha po provon që ka gjak.
 
Nuk do të ketë luftë vërtet për shumë arsye. Kryearsyeja është se viktima e parë e luftës dhe anarkisë, është ajo çadër. Anarkia që keni të gjithë në mendje duke kujtuar 1997, nuk vjen kurrë nga zëra të ngjirur si i Bashës, por nga humbja e kontrollit të shtetit. Basha nuk e ka parë nga afër se bashkë me gruan, morën lekët e VEFA-s e ikën në Holandë. Atëhere njerëzit dolën në rrugë se nuk kishin çfarë humbisnin përballë një shteti të papërgjegjshëm. Por shtetit nuk i vënë kurrë flakën miliarderët e tij, pasi turma e revolucionarëve në fillim do t’u turret pikërisht atyre. Dhe mendoni se vilat e Lalzit, Laguna Blu, Rolling Hills, ku banojnë shumica e çadrës, është e gatshme të lërë fatin në dorë të tyre?

Në asnjë mënyrë. Më parë shkojnë në zyrë të Edi Ramës dhe i bien në gjunjë, se sa t’ia dorëzojnë fatin e tyre rrugës.
Mendoni vërtet se ata që i kanë akoma paratë nëpër qypa nga frika e “Vetting”-ut, do të pranonin një kolaps financiar në këtë vend, që t’u zhvlerësoheshin pasuritë? Kurrë nuk do ta bënin.

Bizneset kryesore në vend, koncesionet më të mëdha, që nga ngjyrosja e naftës që e ndan Mulleti me Shkëlzenin, skanimi i doganave, pullat fiskale etj, janë në duart e njerëzve të asaj çadre. Miliarderët më të mëdhenj të këtij vendi janë miq të asaj çadre. Ata “kapitenët e medias” që citon Basha dhe që kanë përfituar miliona nga pushteti, janë miqtë e superpaguar të Lulzim Bashës, janë ata që kanë legjitimuar vjedhjen e votave të tij më 8 maj 2011 dhe që janë shpërblyer shtrenjtë prej tij. Nëse ka harruar, mund t’ia kujtojmë dhe s’ka pse ia faturon Berishës. Sekseri ishte ai vetë.

Lulzim Basha nuk ka kujt t’i shpallë luftë përveç vetvetes. Asaj ia ka shpallur.

Mos e pengoni!

Lereni ta shprehë dufin deri në fund, se nuk e ka me ne, por me veten dhe të vetët. E ka nga pasiguria për atë që po bën dhe paqartësia e rrugës ku po shkon. Mos u trembni prej tij. Por sidomos, mos e trembni! Lerini të shikojmë ç’mund të bëjë një herë të vetme në jetë ky njeri. Nuk na vjen më ky rast.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mjeku s'mund të kurojë të njëjtin pacient në shtet e privat, e mbështesni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik