Një godinë e re për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit po shkon drejt përfundimit. Pamjet nga kantieri i publikoi sot kryeministri Edi Rama, duke theksuar se projekti po kthehet në realitet.
Sipas tij, godina do të jetë moderne, me laboratorë të pajisur, salla leksioni me kapacitet të lartë për studentët, ambiente seminari në çdo kat dhe hapësira të dedikuara për stafin akademik.
Rama e cilësoi investimin si një hap konkret për përmirësimin e infrastrukturës universitare dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Sipas tij, ky projekt do të jetë në shërbim të brezave të ardhshëm të profesionistëve të shëndetësisë.
Ndërtesa e re pritet të rrisë kapacitetet e universitetit në Elbasan dhe të përmirësojë kushtet për studentët që ndjekin degët e shkencave mjekësore teknike.
"Nga projekti në realitet, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit po merr formë dita-ditës, në një godinë moderne, me laboratorë, salla leksioni me kapacitet të lartë për studentët, ambiente seminari në çdo kat dhe hapësira dinjitoze për stafin akademik. Një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës universitare dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies, në shërbim të brezave të ardhshëm të profesionistëve të shëndetësisë" shkroi Rama në Facebook.
Komente











