PARIS - Ish-Presidenti I Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy është shoqëruar mëngjesin e sotëm në polici. Lajmi bëhet i ditur nga mediat botërore sipas të cilave, ish-Presidenti Sarkozy është paraqitur sot rreth orës 08:00 të mëngjesit në Zyrën e Luftës Kundër Korrupsionit.

Ai do të merret në pyetje, pasi akuzohet për "ndikime nga jashtë" dhe "shkelje të fshehtësisë së hetimit”. Sipas mediave botërore dyshimet ndaj Sarkozys u ngritën gjatë një hetimi penal për "korrupsion", të hapur në pranverë të vitit 2013 në Paris.

Çështja në fjalë ka të bëjë me dyshimet lidhur me mbështetjen financiare të ardhur nga Libia për fushatën presidenciale të Nicolas Sarkozy në vitin 2007. Si pjesë e kësaj procedure, hetuesit kanë përgjuar bisedat telefonike të disa të afërmve të ish-Kryetarit të Shtetit, dhe të vetë Sarkozy që prej shtatorit 2013.

Pjesë e këtij hetimi janë përfshirë edhe avokati i tij, Thierry Herzog, i dyshuar se ka ndihmuar Sarkozy duke ndikuar në vendimin e gjykatës në çështjen që mund ta dërgonte në burg ish-Presidentin.

Inspektorët e antikorrupsionit mund të mbajnë deri në 24 orë Nicolas Sarkozy në hetuesi, me mundësinë për ta shtyrë edhe një ditë tjetër. 

sarkozy

sarkozy shoqerohet
(Automjeti me Ish-Presidentin e Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy duke u futur në polici)

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)