Policia e Tiranës ka goditur dy raste prostitucioni që ushtrohej në apartamente të marra me qira në kryeqytet, duke vënë në pranga dy shtetase të huaja. Bëhet fjalë për një 33-vjeçare vietnameze dhe një 43-vjeçare kineze, të arrestuara gjatë operacioneve të koduara “Network” dhe “Foleja 7”, të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Komisariati nr. 3.
Sipas hetimeve, 33 vjeçarja P. Th. kishte marrë me qira ditore një apartament në rrugën “Mine Peza”, i cili dyshohet se përdorej për prostitucion. Ndërsa shtetasja kineze Y. W. dyshohet se ushtronte prostitucion në një apartament tjetër të marrë me qira në Rrugën e Durrësit.
Në vijim të hetimeve, Policia procedoi penalisht në gjendje të lirë edhe një person që dyshohet se përfitonte nga kjo veprimtari e paligjshme. Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash dhe 3 telefona celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Tiranë/Finalizohen nga Policia e Tiranës, 2 faza të tjera të operacioneve të koduara “Network” dhe “Foleja”, kundër ushtrimit të prostitucionit. Arrestohen 2 shtetase (vietnameze dhe kineze) që kishin marrë me qira, për këtë qëllim, apartamente në Rrugën e Durrësit dhe në rrugën “Mine Peza”. Procedohet penalisht 1 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari. Sekuestrohen shumë parash dhe 3 celularë. Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të qiramarrjes së apartamenteve në zona të ndryshme të kryeqytetit, për të ushtruar prostitucion, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 finalizuan operacionet e koduara: -“Network”, gjatë të cilit u arrestua shtetasja vietnameze, P. Th., 33 vjeçe, pasi dyshohet se në rrugën “Mine Peza”, kishte marrë një apartament, me qira ditore, për të ushtruar prostitucion; -“Foleja 7”, gjatë të cilit u arrestua shtetasja kineze, Y. W, 43 vjeçe, pasi dyshohet se ushtronte prostitucion, në një apartament të marrë me qira, në Rrugën e Durrësit. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas, përfitues nga kjo veprimtari e kundërligjshme. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme"
Komente









