Eljo Piçoku, Shefi i Seksionit për Shërbimet Ekonomike dhe Personelin në Komisariatin e Policisë Rrugore në Tiranë dhe oficeri Amarido Lika, me detyrë Trupë Shërbimi Nd/Specialist pranë Seksionit të Parandalimit dhe Sigurisë në Linjat jashtë qytetit, po në ‘Rrugoren’  e Tiranës janë arrestuar dhe janë lënë në burg nga GJKKO pasi akuzohen se kanë marrë përfitime të paligjshme dhe u kanë premtuar dhe siguruar qytetarë të ndryshëm, drejtpërdrejt apo mes personave të tjerë, që do t’ju kthenin para afatit të pezullimit lejet e drejtimit të pezulluara sipas Kodit Rrugor.

Dy efektivët u zbuluan pas arrestimit të një tjetër efektivi në muajin dhjetor. Pasi Alkid Ndreu ra në pranga se mori 70 mijë lekë ryshfet për t'i kthyer një gruaje patentën, hetimet kishin nisur edhe në kartotekën ku mbaheshin lejet e qarkullimit të pezulluara. Në bazë të këtyre hetimeve u provua se mungonin dhjetëra leje qarkullimi. Dyshohet se Amarildo Lika dhe Eljo Picoku ua kishin kthyer këto leje qarkullimi qytetarëve kundrejt shumave nga 500 deri në 1500 euro.

Të dy oficerët e policisë janë vënë në pranga pas një hetim 4-mujor të bërë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Me kërkesë të Prokurorisë, GJKKO ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg” për të dy oficerët, masa të cilat janë ekzekutuar sot nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë. Vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka efektivë të tjerë të përfshirë në këtë skemë korruptive.