TIRANË - Tumori, kjo sëmundje që na drithëron të gjithëve kur e dëgjojmë, ështe ajo që ka tronditur edhe jetën e familjes Shpata.

Merushe Shpata, nënë e 3 djemve, vuan pasojat e 8 operacioneve të kryera mbi trupin e saj. Kalvari i vuajtjeve filloi për të që prej vitit 2003, me dhimbjet, si pasojë e gjendrës tumorale në gjoks. Në emisionin “Urbanika” ajo rrëfeu kalvarin e vuajtjeve që përjeton prej 10 vjetësh.

Merushja ka kryer, me udhëzimin e mjekëve, një ndërhyrje kirurgjikale, në vitin 2003 për të hequr gjendrën tumorale të krijuar në gjoks, por gjatë operacionit, mjekët e kanë lënë plagën të hapur dhe ajo mori infeksion në sallën e operacionit të Senatoriumit të Tiranës.

Ky infeksion i ka prekur brinjët dhe ka shkaktuar probleme të tjera shëndetësore, të cilat u pasuan edhe me 7 operacione të tjera. Që prej kësaj dite, vuajtjet e kësaj nëne nuk njohin fund dhe vazhdojnë edhe sot. Gjithsej, ajo të tregon 8 operacione në trup.

Merushe Shpata rrëfen se sot ndodhet në vështirësi shëndetesore dhe ekonomike. Tashmë, asaj. që prej muajit nëntor të vitit 2012, i është ndërprerë edhe ndihma ekonomike. Që nga ky moment ajo nuk ka mundësi as të mjekojë plagën që e shtrëngon në gjoks.

“Vetëm Zoti më mban në këmbe”,- thotë Merushe Shpata.

Gjendja shëndetësore sa vjen e përkeqesohet më shumë. Shpesh herë ajo ka probleme me frymëmarrjen. Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se edhe pas 8 operacioneve të kryera për gjendrën tumorale, Merushe Shpata ka sërish një të re, krijuar kohët e fundit si pasojë e ndërprerjes së mjekimeve.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)