Qendra shëndetësore nr.2 në qytetin e Fierit është në gjendje alarmante për shkak të kushteve minimale të higjienës e sigurisë. Kjo godinë e cila mbulon me shërbim shëndetësor 15 mijë banorë ndodhet në katin e tretë të një objekti mes lagështirës e mykut, pa ashensor duke e bërë pothuajse të paarritshme për të moshuarit dhe pacientët me probleme të rënda shëndetësore.
Përballë kësaj situate qytetarët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë për rikonstruksionin e saj, teksa theksojnë se braktisja shumëvjeçare nga institucionet përgjegjëse është e pajustifikueshme.
Ndërkohë po kaq e rëndë paraqitet situata edhe për personelin mjekësor të kësaj qendre të cilët u shërbejnë pacientëve mes lagështirës e mykut dhe ambienteve të pamjaftueshme.
Drejtoresha Shqiponja Hoxha, pohon se situata paraqitet problematike pasi hidroizolimi i taracës së objektit është i dëmtuar plotësisht duke shkaktuar problematika të vazhdueshme në ambientet e brendshme.
Për këtë arsye NjVKSH Fier i është drejtuar në mënyrë të përsëritur bashkisë e cila ka realizuar një ndërhyrje të pjesshme e cila nuk ka ndikuar aspak në përmirësimin e gjendjes ekzistuese të objektit.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e ka përfshirë qendrën shëndetësore nr 2 në projektin e “ Rikonstruksionit të ambulancave dhe qendrave shëndetësore për vitet “2025- 2026”. E megjithatë gjatë vitit 2025 projekti mbeti vetëm në letër, ndërkohë që gjendja e godinës bëhet edhe më alarmante nga viti në vit. Rikonstruksion të shpejtë ose transferim kanë kërkuar njëzëri si qytetarët, ashtu edhe personeli shëndetësor.
Komente











Cfare tarrace,aty e gjithe ndertesa qe nga kati i pare e lart duhet deklaruar e pabanueshme! Keq ishin financiarisht qe nuk ndertuan nje qender shendetsore,e perfunduan ne katin e trete te nje pallati,sepse nga pamja,i tille duket?! Ajo ndertese duhet deklaruar e pabanueshme jo vetem per te semuret qe kerkojne ndihme,por dhe per banoret e tjere.Aty edhe nje mace nuk mund te mbash sepse eshte jashte standarteve dhe pervec kesaj,si lejohet nje qender spitalore ne nje pallat edhe sikur te ishte ne gjendje te shkelqyer?! Gjithato mikrobe qe sjellin personat qe vijne per vizita mjekesore,tani imagjinoni kohen e Covidit ku pacientet kane ardhur per vizita e duhej te shkembeheshin neper shkalle e koridore me banues te tjere te nderteses qe s'kishin te benin fare me pacientet,por qe ishin te detyruar te shkembeheshin me ta neper ambientet e nderteses!
Përgjigju